Lidhje

Presidenti Bush zotohet për fitore vendimtare në Irak


Presidenti Bush tha se viti i ri sjell sfida të reja për Irakun, ndërkohë që politikanët përpiqen të formojnë një qeveri të re dhe forcat e sigurimit vazhdojnë të luftojnë me kryengritësit.

“Ne do të shikojmë më shumë luftime të ashpëra dhe më shumë sakrifica në 2006-tën sepse armiqtë e lirisë në Irak vazhdojnë të nxisin dhunë dhe shkatërrim. Ne do të shikojmë gjithashtu më shumë përparim në rrugën drejt fitores. Fitorja do të vijë kur terroristët dhe sadamistët nuk do të jenë më në gjendje ta kërcënojnë demokracinë në Irak”.

Presidenti Bush tha se zgjedhjet parlamentare të dhjetorit treguan përparim drejt demokracisë, por ai i paralajmëroi amerikanët që të jenë të duruar. Ai tha se ata nuk duhet të habiten në qoftë se irakianët bëjnë gabime dhe pësojnë disfata në përpjekjet e tyre për të formuar qeverinë, sepse populli i Irakut është ende në fazën e kapërcimit të tre dekadave të diktaturës.

Pavarësisht nga këto pengesa, zoti Bush thotë se irakianët kanë treguar se mund të bashkohen. Mendohet se pakica suni përbën shumicën e forcave kryengritëse, por pjesëmarrja e sunive në zgjedhjet e fundit ishte më e madhe, duke u dhënë atyre, siç tha Presidenti Bush, më shumë ndikim në qeverinë e ardhëshme.

“Është me shumë rëndësi se sunitë që braktisën dhunën për të marrë pjesë në procesin politik shikojnë tani frutet e kësaj pjesëmarrjeje paqësore. Sunitë duhet të mësojnë se si të përdorin ndikimin e tyre në mënyrë konstruktive në një sistem demokratik në të mirë të komunitetit të tyre dhe të vendit në përgjithësi. Ndërsa shi’iat dhe kurdët kanë nevojë të kuptojnë se shoqëritë e lira dhe të suksesëshme mbrojnë të drejtat e pakicave kundër tiranisë së shumicës”.

Zoti Bush tha se një vend që nxit fraksionet dhe vazhdon të mendojë për mosmarrëveshjet e vjetra rrezikon të shkasë përsëri në tirani. Ai tha në një takim të veteranëve amerikanë të ushtrisë se kompromisi, konsensusi dhe ndarja e pushtetit janë e vetmja rrugë drejt unitetit kombëtar dhe një demokracie të qendrueshme.

Presidenti tha se trupat amerikane në Irak do të pakësohen ndjeshëm nën numrin e parazgjedhjeve që ishte 138 mijë. Më vonë këtë vit, në qoftë se forcat irakiane të sigurimit vazhdojnë të bëjnë përparim, ai tha se mund të ketë ndryshime të tjera. Por Presidenti Bush e bëri të qartë se kjo do të bazohet në vlerësimin e ushtrisë dhe jo nëpërmjet një afati artificial kohor të përcaktuar nga politikanët në Uashington. Demokratët e opozitës po bëjnë thirrje që Presidenti të caktojë afate për kthimin e trupave në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Bush tha se vazhdimi i luftës do të ketë sfida të tjera në muajt që vinë, ndërkohë që fillon edhe fushata e zgjedhjeve të nëntorit për në Kongres. Një debat i ashpër po zhvillohet rreth luftës dhe zoti Bush thotë se votuesit amerikanë janë në gjendje të bëjnë diferencimin mes atyre që janë përgjegjës dhe atyre që nuk janë përgjegjës.

“Ata janë në gjendje të dallojnë kritikët e ndershëm që kërkojnë shpjegime për ecurinë e luftës dhe kritikëve me prirje partiake që thonë se ne shkuam më Irak për naftë, për Izraelin, ose se e keqinformuam popullin amerikan. Ata e shikojnë ndryshimin mes një opozite besnike që vë në dukje se çfarë është e gabuar dhe disfatistëve që refuzojnë të shikojnë ndonjë gjë të drejtë".

Kur ushtarët i dëgjojnë politikanët në Uashington që e vënë në pikpyetje misionin e tyre, tha Presidenti Bush, morali i tyre goditet. Ai tha se Amerika do të mbetet e angazhuar në Irak dhe nuk do të pranojë asgjë më pak se sa një fitore të plotë.

XS
SM
MD
LG