Lidhje

Gelbard: Marrëdhëniet e mira me Serbinë janë në interes të shqiptarëve të Kosovës


Ish i dërguari i Shteteve të Bashkuara në Ballkan, Robert Gelbard, i tha Zërit të Amerikës se pavarësisht nga rezultati i bisedimeve të ndërmjetësuara nga zoti Martti Ahtisaari, shqiptarët e Kosovës duhet ta kuptojnë se do të ishte në interesin e tyre që ata të kenë marrëdhënie pozitive me Serbinë. Ambasadori Gelbard, i cili tani punon si konsulent privat, tha se gjatë negociatave që ka filluar, zotit Ahtisaari do t’i duhet të përballet me pyetje të shumta dhe të vëzhtira.

Zëri i Amerikës: Ambasador Gelbard, nëse ju do të ishit Martti Ahtisaari, si do të vepronit në këto bisedime, çfarë do t’u thoshit palëve?

Robert Gelbard: Së pari dua të them se jamë shumë i kënaqur që zoti Kofi Annan caktoi ish presidentin Ahtisarin si negociator. Jam gjithashtu i kënaqur që Shtetet e Bashkuara kanë shprehur mbështetje të plotë për zotin Ahtisari. Nuk besoj se do të kishte një kandidat më të mirë se sa ai. Kam punuar me zotin Ahtisari kur kam qenë i dëguari presidencial për Ballkanin dhe ai ishte president i Finlandës. Gjithashtu, jo shumë kohë më parë ai arriti diçka që unë mendoja se ishte e pamundur. Ai realizoi me negociata një marrëveshje lidhur me rajonin Aceh të Indonezisë. Unë kam qenë ambasador në Indonezi dhe e njoh shumë mirë këtë rajon. Pra, ky është një njeri i jashtëzakonshëm. Pa parashikuar rezultatin e bisedimeve për Kosovën, mendoj se zoti Ahtisaari do të përpiqet që së pari të masë temperaturën dhe të krijojë një ide se cilat janë pozicionet e palëve. Është e qartë se Kosova dhe Serbia nuk mund të kthehen në situatën e viteve 90. Ahtisarit do t’i duhet të shikojë nëse Kosova është apo jo e gatëshme për pavarësinë dhe nëse po, në çfarë forme. Këtu ka disa çështje thelbësore. Unë jam shumë i zhgënjyer që gjatë mandatit të UNMIK-ut këto 6 vitet e fundit, në Kosovë është bërë pak përparim në kuptimin e zhvillimit të procesit politik dhe të institucioneve demokratike, të përfshirjes së pakicave dhe të krijimit të një klime të mirë investimesh. Ne e dimë se Kosova nuk ka shumë burime natyrore prandaj duhen gjetur mënyra për krijimin e vendeve të punës, përveçse duke përdorur paratë që vijnë nga diaspora. Më shqetëson shumë fakti që në Kosovë ka patur aq dhunë. Kjo nuk është mënyra për t’i dhënë besim komunitetit ndërkombëtar se një Kosovë e pavarur do të ishte demokratike, do të respektonte të drejtat e pakicave dhe do të ishte një fqinjë e mirë për vendet rreth saj. Përsa i përket Serbisë, zoti Ahtisari do të bëjë shumë pyetje, për shembull si mendojnë udhëheqësit serbë se do t’i vazhdojnë marrëdhëniet me Kosovën pas gjithë atyre gjërave të tmerrshme që ndodhën. Një nga çështjet thelbësore është se me cilin do të negociojë zoti Ahtisaari në Serbi. Ndryshe nga ç’ndodh me shqiptarët, në Serbi nuk ka një zë të vetëm, sepse pjesë të ndryshme të qeverisë thonë gjëra të ndryshme. Mendoj se Serbisë i duhet të vendosë se cili është në të vërtetë pozicioni i saj.

Zëri i Amerikës: Si diplomat, ju e kuptoni më mirë se kushdo tjetër se sa larg janë pozitat e shqiptarëve dhe serbëve lidhur me Kosovën. Mendoni se zgjidhja përfundimtare mund të jetë diçka e imponuar se sa e arritur me bisedime?

Robert Gelbard: Nuk e di. Do të jetë shumë e vështirë për të arritur me negociata ndonjë çështje për të cilën të gjithë të jenë dakord. Por një nga gjërat për të cilën shqiptarët duhet të reflektojnë thellë është se do të ishte në interesin e tyre që në fund të fundit ata të kenë marrëdhënie pozitive me Serbinë. Shpresoj se ata e kuptojnë se do të ishte e padëshirueshme për ta që si rrjedhojë e asaj që do të ndodhë në Kosovë, në Serbi të vijë në pushtet partia radikale. Kjo do të krijonte një situatë të komplikuar dhe konfrontuese. E dëshirueshme për ta do të ishte që, pavarësisht nga statusi përfundimtar, gjërat të përfundonin me një situatë në të cilën ata të krijonin marrëdhënie më të mira me Serbinë sepse për shkak të gjeografisë ata do të jenë fqinjë përjetë. Lidhur me statusin, është e vështirë të imponosh diçka nga jashtë sidomos kur kjo do të duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit.

Zëri i Amerikës: Nëse zgjidhja do të jetë pavarësi e kushtëzuar, çfarë natyre do të kishin dhe sa konkrete do të ishin kushtet që do të viheshin?

Robert Gelbard: Natyrisht kjo do të varet nga zoti Ahtisari për t’u vendosur me anë bisedimesh por ekziston një gamë e gjerë mundësish. Një mënyrë se si e përfytyroj unë do të ishte vendosja e një numri standardesh dhe treguesish që do të duhej të përmbusheshin, pra të jepeshin demonstrime të qarta për arritjet në aspektet e institucioneve demokratike, të institucioneve shoqërore, atyre ekonomike, të drejtave të pakicave, marrëdhënieve me fqinjët e të tjera. Nëse do të isha në vend të zotit Ahtisari, unë do të kërkoja prova konkrete për ato që do të arriheshin me kalimin e kohës. Një ide që është diskutuar është ideja e postit të një përfaqësuesi të lartë si në Bosnje, pra që përfaqësuesi i lartë të ketë të drejtën të ndërhyjë. Por numri i alternativave është i pafund.

XS
SM
MD
LG