Lidhje

ElBaradei, mesazh Iranit për të pezulluar procesin e pasurimit të uraniumit


Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike Muhamed El Baradei zhvilloi bisedime me zyrtarët iranianë në përpjekje për të bindur qeverinë e Teheranit të pezullojë programin e tij bërthamor. Zoti Baradei u takua sot me kryetarin e agjencisë iraniane për energjinë bërthamore dhe më pas tha se ai nuk mund të konfirmojë që Irani e ka pasuruar uraniumin në nivelin e duhur që përdoret për komplekset bërthamore.

Të martën Irani njoftoi se e kishte arritur këtë nivel pasurimi. Zëdhënësja e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike Melissa Flemming tha se zoti Baradei, i dorëzoi Iranit mesazhin për të pezulluar procesin e pasurimit të uraniumit, në mënyrë që të shtohet besimi tek komuniteti ndërkombëtar. Zonja Flemming tha se zyrtarët iranianë dëgjuan, por nuk morën ndonjë angazhim.

Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, ka në plan të raportojë më 28 prill në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, dita kur përfundon afati që OKB-ja iu caktoi Iranit për të ndërprerë veprimtaritë bërthamore. Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Iranin se ka një program sekret për armët bërthamore. Por Teherani thotë se programi i tij bërthamor ka vetëm synimin paqësor, për prodhimin e energjisë elektrike.

Udhëheqësit botërorë dënojnë Teheranin për vazhdimin e programit bërthamor

Udhëheqësit botërorë po e dënojnë Iranin për vazhdimin e programit të tij për të zhvilluar teknologji bërthamore, megjithë direktivat e Kombeve të Bashkuara kundër një zhvillimi të tillë.

Mohammad Saeedi , Zëvendës-drejtori iranian për programin bërthamor tha dje se vendi i tij ka plane afat-gjate për të përdorur 54 mijë centrifuga për të prodhuar karburant për reaktorin kryesor prej 1 mijë megavatesh. Këto komente ai i bëri ndërsa bota shprehu shqetësim ndaj njoftimit iranian se pasuroi uranium në nivelin që përdoret në komplekset bërthamore.

Kina, e cila tani mban presidencën e radhës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së tha dje se ajo që po bën Irani, është në kundërshtim me marrëveshjet që Teherani ka nënshkruar me komunitetin ndërkombëtar dhe me Agjencinë Ndërkombëtare të OKB-së për Energjinë Atomike.

Ja si u shpreh Uang Guangya, ambasador i Kinës pranë Kombeve të Bashkuara:

“Kina, Rusia dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar dëshiron që Irani të bashkëpunojë më mirë me përpjekjet që ka bërë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, si dhe me kërkesat që ka bërë Këshilli i Sigurimit i OKB-së."

Në Moskë, Rusia shprehu shqetësimin e saj dhe i bëri thirrje Iranit që të ndalojë programin e tij bërthamor. Por Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov paralajmëroi gjithashtu kundër ngutjes për të arritur në ndonjë përfundim lidhur me aftësitë bërthamore të Iranit që sipas tij mund të shkatojë ngritjen e tensioneve.

Këtu në Uashington, gjatë një takimi me ambasadorin e Guinesë Ekuatoriale, Sekretaria amerikane e shtetit Kondoliza Rajs tha se Irani ka ndërmarrë një hap përpara drejt izolimit të tij nga komuniteti ndërkombëtar.

“Iranit i janë dhënë raste të shumta për të zhvilluar negociata në mirë besim: nga evropianët, nga rusët. Por ata kurrë nuk i kanë shfrytëzuar këto raste. Ne kemi patur një deklaratë presidenciale që përforcon këto kërkesa. Iranianët kurrë nuk kanë reaguar ndaj kërkesave. Prandaj ne tani jemi duke u këshilluar dhe kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së të mblidhet përseri, mendoj se do të jetë koha për veprim .” - tha zonja Rajs.

Njoftimi i Irani u bë në mesin e afatit 30 ditësh qp Këshilli i Sigurimit i vuri Iranit për të ndaluar gjithë veprimtaritë bërthamore. Drejtori i Agjencisë së OKB-së për energji Atomike , Mohamad el Baradei do t’i raportojë Këshillit të Sigurimti të OKB-së mbi këtë situatë pas 28 prillit kur skadon afati.//lk

XS
SM
MD
LG