Lidhje

Përfundojnë seancat për konfirmimin e kandidatit për Gjykatën e Lartë, Alito

  • Deborah Tejt

Kandidati për anëtar në Gjykatën e Lartë amerikane, Samuel Alito, u dha fund dëshmive para Komisionit Juridik të Senatit. Ditën e katërt të seancave për konfirmimin e tij, gjykatësi Alito vlerësoi lart gjykatësen Sandra Day O’Connor, e cila del në pension. Ai tha se e admiron atë për integritetin e saj, por u shpreh se asnjë gjykatës nuk mund të zëvendësojë një tjetër. Ai tha se do ta vlerësojë çdo çështje që t’i paraqitet në bazë të meritës që ajo ka.

Sandra Day O’Connor është konsideruar si një zë i moderuar në Gjykatën e Lartë amerikane që shpesh ka hedhur votën përfundimtare për çështje të tilla të debatueshme si aborti. Në një sesion të mëparshëm, gjykatësit Alito, iu bënë pyetje intensive lidhur me deklarata që ai ka bërë në të kaluarën për ndryshimin e ligjit të abortit. Ai tha se do ta shikojë çdo çështje me transparencë. Samuel Alito pritet të konfirmohet nga Senati i dominuar nga republikanët. Korrespondentja jonë Deborah Tate na sjell hollësitë nga Kongresi:

Sot, në ditën e katërt të seancave për konfirmimin e gjykatësit Samuel Alito, senatori demokrat i shtetit Masaçusets Ted Kennedy i përqëndroi pyetjet e tij përsëri tek qëndrimet e kandidatit në të shkuarën. Ai tha se në disa raste kur zoti Alito ka marrë vendime, ka fakte për ato që ai i quajti shtrembërime ligjore dhe arsyetime jo të qëndrueshme, duke anuar pro personave më të fuqishëm.

" Le të na citojë zoti Alito raste për të cilat të na bëjë të besojmë se ka ndihmuar të pafuqishmit, por sipas të dhënave duket qartë se njeriu i zakonshëm e ka patur të vështirë të sigurojë një gjykim të paanshëm, kur ka qenë gjykatës zoti Alito"- tha Senatori Kenedi.

Duke ju referuar zotit Alito, senatori republikan i shtetit Juta Orrin Hatch, la të kuptohet se demokratët po tregohen të politizuar kur është fjala për gjykimin e zotit Alito.

"Jam i mendimit se ju nuk jeni trajtuar me drejtësi në këtë seancë", - tha senatori Hatch, duke iu drejtuar kandidatit.

Kryetari demokrat i Komisionit Juridik, senatori nga Vermonti Patrik Lejhi, u doli në mbrojtje pyetjeve të vështira të bëra nga demokratët:

"Ndoshta gjykatësi Alito mendon se ai po caktohet në një vend mjaft të zgjedhur, por këtu është fjala për një post që ai do ta ketë për tërë jetën dhe Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara është më e fuqishmja në botë" – tha zoti Lejhi.

Disa prej pyetjeve që iu drejtuan gjykatësit Alito kishin të bënin me pushtetin e Presidentit, si për shembull, sa i ligjshëm ishte vendimi i Presidentit Bush për të përgjuar bisedat telefonike të amerikanëve të dyshuar për terroristëm. Presidenti thotë se ai gëzonte autoritetin në përputhje me rezolutën e vitit 2001 të Kongresit për autorizimin e forcës për të luftuar terrorizmin, megjithëse disa nga ligjvënësit nuk janë dakort me këtë. Gjykatësi Alito, nga ana e tij thotë se kjo çështje mbetet për t’u zgjidhur.

"Kjo është çështje që ka të bëjë me interpretimin e ligjeve," - tha zoti Alito.

Në se kandidatura e tij miratohet, gjykatësi Alito do të zerë vendin e gjykatëses Sandra Day O’Connor, e cila konsiderohej me pikëpamje të moderuara dhe që shpesh hidhte votën vendimtare në çështjet e debatueshme që merrte në shqyrtim Gjykata e Lartë. Demokratët shqetësohen se zoti Alito mund të bëjë që të ndryshojë ekuilibri në radhët e Gjykatës së Lartë.//lk

XS
SM
MD
LG