Lidhje

Vdes Imzot Mark Sopi, ipeshkv i Ipeshkëvisë së Kosovës


Sot pasdite në Prishtinë, nga pasojat e një goditjeje në zemër, vdiq imzot Mark Sopi, ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës.

Njoftimi është konfirmuar nga kancelaria e ipeshkëvisë dhe nga mjekët e qendrës Klinike Univeristare në Prishtinë, të cilët thanë se imzot Mark Sopi ka pësuar një goditje në zemër në orët e mesditës dhe me gjithë përpjekjet e mjekëve, ai ndërroi jetë pak pas orës 15.

Imzot Mark Sopi, u lind më 26 shkurt të vitit 1938 në fshatin Binçë të komunës së Vitisë në Kosovën lindore. Shkollimin fillor e mbaroi në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme në Pazin të Kroacisë. Studimet në filozofi dhe teologji i ka filluar në Zagreb ndërsa i ka përfunduar në Romë.

Në vitin 1968 ka filluar të shërbejë si prift i ri në Ferizaj, ndërsa nga viti 1974 ka shërbyer si famullitar në kishën e Zllakuqanit në Kosovën qendrore. Nga viti 1991 e deri më 1995 ka shërbyer si prift në Durrës.

Në nëntor të vitit 1995, Selia e Shenjte e emëroi atë ipeshkëv të komunitetit katolik shqiptar të Kosovës, post në të cilin ai trashëgoi imzot Nik Prelën. Për shkak të rrethanave që ekzistonin në atë kohë në Kosovë, imzot Mark Sopi është shuguruar në Romë në janar të vitit 1996, post ky në të cilin ai ka shërbyer për dhjetë vjet me radhë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës më 17 maj të vitit të kaluar, një ditë para se të dëshmonte në kongresin amerikane, Imzot Mark Sopi tha se pavarësia ështëe vetmja zgjidhje për çështjen e Kosovës, që ai e konsideronte edhe faktor të fuqishëm stabiliteti në Ballkan.

Ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Mark Sopi, vdiq sot në moshën 67 vjeçare.

XS
SM
MD
LG