Lidhje

Burns: Ahtisari shkoi në Prishtinë me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara


Sot u mbushën 10 vjet që kur u arritën marrëveshjet e Dayton, të cilat u dhanë fund luftës në Bosnje-Hercegovinë. Me këtë rast këtu në Washington u zhvillua një konferencë me fjalime të rëndësishme nga përfaqësuesi i lartë i administratës amerikane, tek arkitekti i Marrëveshjeve të Daytonit e deri tek përfaqësuesit e qeverisë së Bosnje-Hercegovinës, të cilët ndodhet në kryeqytetin amerikan me shpresë për të arritur një marrëveshje lidhur me reformat kushtetutore, të nevojshme për të ecur drejt integrimit evropian.

Zyrtari i lartë i administratës amerikane, nënsekretari amerikan i shtetit Nicholas Burns foli rreth angazhimit të Shteteve të Bashkuara drejt krijimit të një Evrope të lirë, paqësore e të bashkuar, duke filuar që nga marrëveshja e Daytonit për Bosnje-Hercegovinën. Nën-sekretari Burns përshëndeti arritjet e Bosnje-Hercegovinës gjatë 10 vjetëve të fundit, që prej marrëveshjes së Daytonit, veçanërisht popullin dhe udhëheqësit e tij. Ai u bëri thirrje udhëheqësve të Bosnje-Hercegovinës që të vazhdojnë angazhimin drejt reformave. Që prej fillimit të viteve 90-të, Shtetet e Bashkuara, për 3 administrata me radhë e kanë vënë në krye të rendit të tyre të ditës vendosjen e paqes dhe të demokracisë në Evropë, një Evrope të lirë e të bashkuar, që nuk do të jetë më burim lufte, tha ai. Ballkani, shtoi ai, është ajo pjesë e Evropës që nuk ka përfituar nga paqja, krijimi i vendeve të punës, begatia, shteti juridik dhe përfundimi i ndarjeve etnike. Kjo do të bëjë që Evropa të jetë më e lirë, e më e bashkuar. Dhe pikërisht sot, tha zoti Burns, po bëhet një përpjekje që edhe Ballkani të përfitojë nga paqja e demokracia.

“Prandaj edhe i dërguari i Kombeve të Bashkuara Marti Ahtisari ndodhet në Prishtinë për të filluar bisedimet për zgjidhjen përfundimtare të çështjesh së Kosovës. Ai shkoi sot në Prishtinë me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara.”

Nën-sekretari Burns tha se i takon vetëm popullit të rajonit, Kosovës dhe qeverisë sërbe, e askujt tjetër, që të vendosin mbi statusin përfundimtar të Kosovës. Por një gjë është e sigurtë tha ai, se status kuoja nuk mund të vazhdojë. Shpresat e popullit të Kosovës, që janë lënë mënjanë për 6 vjet e gjysëm duhet të përcaktohen në bisedime.

Lidhur me bisedimet rreth statusit, nën-sekretari Burns foli rreth dy sfidave. Sfida e parë, tha ai, është për shqiptarët. Ata duhet të jenë të bashkuar, të tregojnë se nuk do të ketë më spastrim etnik të pakicës sërbe, se sërbët mund të jetojnë në Kosovë, siç kanë jetuar për një mijë vjet, se shumica shqiptare do të garantojë të drejtat e tyre dhe se njerzit e prekur nga dhuna e vitit 2004 mund të qëndrojnë aty. Sfida për sërbët është të negociojnë dhe të formojnë një ekip negociues, që shpreh edhe shqetësimet e sërbëve të Kosovës. Dhe kjo, tha zoti Burns, nuk iu bë e qartë kur ishte në Prishtinë para një muaji. Nën-sekretari Burns tha se të dyja palët, si shqiptarët edhe sërbët, përballen me sfida dhe ne, shtoi ai, kemi detyrimin që vitin e ardhshëm të fillojmë dhe të përfundojmë bisedimet me një rezultat që është final dhe që të njihet nga komuniteti ndërkombëtar.

Një prej folësve të tjerë të rëndësishëm në këtë përvjetor ishte edhe arkitekti i marrëveshjes së Daytonit, ambasadori Richard Holbrooke. Përveç vlerësimeve që përmendi rreth asaj marrëveshjeje, ai u përqëndrua edhe në të metat që pati ajo, përfshirë këtu edhe faktin që Republikës Sërbe të Bosnjes iu la ky emër.

I pyetur nga Zëri i Amerikës se çfarë mësimesh ishin nxjerë nga marrërveshjet e Daytonit, që mund të ofrohen si sugjerime apo udhëzime për palët negociuse në bisedimet për statusin e Kosovës, zoti Holbrooke tha se palët e interesuara nuk mund të humbasin më kohë.

“Zgjidhja e çështjesh së Kosovës është më e vështirë se sa Bosnja. Vonesat e vitit të kaluar ishin shumë të kushtueshme. Komuniteti ndërkombëtar nuk mund ta administrojë Kosovën për një kohë të pacaktuar. Nuk dua të përsëris qëndrimin tim lidhur me çështjen e Kosovës, por dua të them se është një problem më i vështirë se sa Bosnje. Rezultati i bisedimeve duhet të jetë i pranueshëm si nga Beogradi edhe nga Prishtina.”

Zoti Holbrok sugjeroi që dëgjuesve tanë t’u themi se ekziston evidencë e dukshme dhe reale e riangazhimit të Shteteve të Bashkuara në Ballkan. Dhe kjo, theksoi ai, është një gjë jashtëzakonisht pozitive për popujt e Ballkanit, për arsye të marrëdhënieve historikisht të mira dhe lidhjeve etnike midis amerikanëve dhe popujve të atij rajoni të botës.

XS
SM
MD
LG