Lidhje

A do të funksionojë presioni ndaj presidentit Assad të Sirisë?

  • Suzanne Presto

A do të funksionojë presioni ndaj presidentit Assad të Sirisë?

A do të funksionojë presioni ndaj presidentit Assad të Sirisë?

Administrata Obama thotë se Siria do të ishte një vend më i mirë pa presidentin e saj, Bashar al-Assad. Megjithëse zyrtarë të lartë amerikanë i kanë bërë thirrje herë pas here Presidentit Assad që të ndalë shtypjen e demonstruesve, Presidenti Barak Obama nuk ka bërë thirrje hapur për dorëheqjen e tij. Suzanne Presto e Zërit të Amerikës njofton lidhur me përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të shtuar presionin diplomatik dhe ekonomik ndaj udhëheqjes siriane.

Ndërsa qeveria siriane nuk po jep shenja të përfundimit të fushatës shtypëse ndaj demonstruesve, ambasadori amerikan në Siri, Robert Ford u takua të enjten në Damask me ministrin e jashtëm sirian, Walid Muallem.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland:

"Ai e bëri të qartë, ashtu siç kemi vepruar here pas here edhe publikisht, se Siria do të përballet me shtimin e presionit ndërkombëtar nëse nuk ndalon dhunën, përfshirë shtimin e sanksioneve ekonomike nga Shteett e Bashkuara dhe, me shpresë edhe të vendeve të tjera".

Analisti i çështjeve politike të Lindjes së Mesme, Andrew Tabler pranë Institutit të Uashingtonit për Lindjen e Afërt, thotë se sanksionet në sektorin e energjetikës janë kyçe.

"Eksportet e naftës nga Siria përbëjnë 25 deri 35 për qind të të ardhurave. Ndryshe nga Iraku në kohën e Sadam Huseinit, ku një pjesë e madhe e të ardhurave shtetrore vinin nga prodhimi i naftës, në Siri, kjo shifër është shumë më e ulët. Pra sanksionet ndaj burimeve energjetike do të dëmtojnë rëndë regjimin, por jo shoqërinë siriane".

Analisti Tabler thotë se presioni ndërkombëtar ndaj Sirisë ka qënë i efektshëm në të kaluarën dhe kjo, thotë analisti, mund të bëhet përsëri. Ai e vë theksin tek vendimi i Damaskut për të tërhequr forcat e veta nga Libani në vitin 2005.

Disa analistë thonë se Shtetet e Bashkuara duhet t’u bëjnë presion njerzve që nuk janë pjesë e qeverisë siriane. Anëtari i opozitës siriane në mëgrim, Ausama Monajed kryeson Qendrën e Kërkimeve dhe Komunikimeve Strategjike me seli në Londër.

"Një mesazh tjetër i duhet përçuar elites suni të biznesit. Ekziston një potencial i madh biznesi në Sirinë e pas presidentit Bashar al-Assad. Kjo elitë duhet të luajë rol në zhvillimin ekonomik të Sirisë, prandaj ajo duhet të shkëpusë lidhjet nga regjimi dhe të shikojë nga e ardhmja".

Kreu i Qendrës së Damaskut për të drejtat e njeriut, Radwan Ziadeh, thotë se është e rëndësishme që Presidenti Barak Obama të bëjë thirrje hapur për dorëheqjen e Bashar al-Assadit.

"Një thirrje e tillë do të inkurajonte edhe vende të tjera arabe e evropaine të bënin të njëjtën gjë. Prandaj edhe ekziston ky lloj presioni ndërkombëtar. Thirrje të tilla do të inkurajonin shumë officerë të ushtrisë siriane, veçanërisht të fesë Alawite, që të dezertonin".

Familja Assad i përket fesë Alawite, e cila përbën një pakicë në Siri.

Theodore Kattouf, ambassador amerikan në Siri gjatë administrates Klinton, thotë se Presidenti Assad nuk do t’i përfillë thirrjet për të dhënë dorëheqjen. Ish ambasadori thotë se pjesëtarë të familjes Assad po luftojnë për jetën e tyre politike, madje edhe për mbijetesën e tyre.

"Me siguri që Bashar al-Assadi shikoi ish aleatin e Shteteve të Bashkuara, Hosni Mubarak, që e çuan në sallën e gjyqit në krevatin e spitalit të mbyllur në kafaz. Dhe nuk ka dyshim që kjo e përforcoi vullnetin e tij për të bërë ç’është e mundur që të qëndrojë në pushtet".

Ish ambasadori Kattouf thotë se nuk ekzistojnë fjalë magjike që do të shkaktonin rënien e qeverisë Assad.

XS
SM
MD
LG