Lidhje

A do të ndikojnë mbi SHBA problemet evropiane të borxhit?

  • Mil Arcega

A do të ndikojnë mbi SHBA problemet evropiane të borxhit?

A do të ndikojnë mbi SHBA problemet evropiane të borxhit?

Shifrat e reja tregojnë se rritja ekonomike në 17 vendet që përdorin euron u ngadalësua mjaft midis muajve prill dhe qershor. Ekonomistët thonë se rritja anemike në Evropë gjatë tremujorit të dytë po i rëndon problemet e saj të borxhit. Por ekspertët thonë gjithashtu se ngadalësimi në Europë mund të ketë pasoja të rënda edhe për ekonominë amerikane.

Shqetësimet për ngadalësimin ekonomik në Evropë shkaktuan rënien e çmimeve të aksioneve në Uoll Strit pas rritjes që zgjati tri ditë. Ekonomia gjermane, e cila shihet si motori i eurozonës, u rrit vetëm 0.1 për qind në tremujorin e dytë.

Eksperti Xhefri Sika thotë se rritja e dobët në Gjermani i komplikon më tej problemet e borxhit evropian.

"Pyetja është se, nëse ekonomia gjermane ndalet, meqenëse ajo është lojtari më i fortë, si do të reagojnë lojtarët më të dobët? Unë mendoj se problemet në sistemin bankar, në bankat evropiane, sidomos në Spanjë dhe Itali, do t’i gërryejë pak nga pak këto ekonomi. "

Thirrjet për unitet më të madh ekonomik dhe politik të martën nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy nuk i zbutën dot shqetësimet.

Analisti gjerman Robert HALVER thotë se investitorët duan të dinë se çfarë kanë në plan të bëjnë tani udhëheqësit.

"Në vështrimin afatgjatë gjërat duken bukur por duhet t’i kushtojmë vëmendje zgjidhjes afat shkurtër."

Fitimet e arritura nga korporatat në Shtetet e Bashkuara ndihmuan zbuteshin disa nga shqetësimet në Uoll Strit. Por, zoti Sika thotë se amerikanët rrezikojnë veten kur i shohin me mospërfillje problemet e Evropës.

"Edhe pse disa e ndjejnë veten mirë nga kjo mospërfillje, sa më shumë të shohin ata ndërvarësinë e bankave evropiane me ato amerikane, aq më shumë të ngjarë ka që ata të fillojnë të shqetësohen."

Analistët thonë se nëse kriza evropiane e borxhit përhapet përtej Greqisë dhe Portugalisë, atëherë vende të tjera si Italia dhe Spanja mund të kenë probleme për të marrë hua. Normat e larta të interesit mund t’i bëjnë ato të paafta të paguajnë këstin e borxhit dhe kjo mund të çojë në një krizë tjetër bankare, duke e zhytur ekonominë globale në një recesion të ri.

Sipas zotit Sika, nëse udhëheqësit e Evropës nuk zgjidhin krizën e borxhit, tregjet financiare ka të ngjarë të qëndrojë në minus për pjesën tjetër të vitit.

"Unë mendoj se Evropa do të bëhet përsëri problem dhe kjo do të komplikojë më tej ngadalësimin tonë ekonomik, duke e kthyer këtë në një vit të vështirë për investitorët."

Një numër në rritje ekspertësh po kërkojnë një Eurobond të përbashkët për eurozonën për të parandaluar normat e larta të interesit që i bënë Greqinë, Portugalinë dhe Irlandën të kërkonin shpëtim financiar. Disa thonë, gjithashtu, se kjo mund të rrisë koston e huamarrjes edhe për vendet e tjera të eurozonës.

XS
SM
MD
LG