Lidhje

A qëndrojnë akuzat e zotit Marti? Debatet vazhdojnë.

  • Keida Kostreci

A qëndrojnë akuzat e zotit Marti? Debatet vazhdojnë.

A qëndrojnë akuzat e zotit Marti? Debatet vazhdojnë.

Raporti i anëtarit zviceran të Këshillit të Evropës, Dik Marti ka shkaktuar tronditje në Ballkan, dhe reagimet kanë qenë të ndryshme që nga përpjekjet për të vendosur ngjarjet në një rrjedhë kronologjike, thirrjet për të kryer hetime penale dhe indinjatë nga ana e Kosovës dhe Shqipërisë.

Zoti Marti e paraqiti raportin të enjten në një konferencë shtypi në Paris.

“Një numër njerëzish nuk dëshironin të flisnin. Kam parë në sytë e shumë njerëzve terrorin absolut kur flitej për këto çështje. Por shumë shpejt, ne zbuluam se përfundimisht këto gjëra diheshin nga një pjesë e mirë e agjencive të zbulimit në shumë vende, diheshin nga policia, dhe shumë njerëz,” tha zoti Marti.

Altin Raxhimi, një gazetar investigativ që para dy vjetësh bashkë me dy kolegë bëri një hetim për praninë e qendrave të ndalimit të UÇK-së në Shqipëri, është dakord.

“Unë e gjej të vlefshëm supozimin e zotit Marti se njerëzit kanë frikë të flasin dhe kërkesën e tij, që njerëzve t’u krijohet siguria absolute e jetës së tyre, përpara se ata të ndërmarrin hapin për të folur për ato që kanë parë, apo kanë dëgjuar”, thotë zoti Raxhimi.

Zoti Raxhimi, që foli me Zërin e Amerikës nga Montreali i Kanadasë, niset nga përvoja e tij dhe thotë se njerëzit me të cilët donte të fliste kishin frikë. Zoti Raxhimi thotë se gjatë investigimit të tij dhe kolegëve u zbulua se UÇK-ja mbante të burgosur që dyshoheshin si spiunë apo kundërshtarë politikë, që keqtrajtoheshin, torturoheshin apo në disa raste vriteshin.

Raportimet e gazetarëve dolën përsëri në sipërfaqe me daljen e raportit të zotit Marti, pasi gjetjet e tyre ishin cituar në këtë raport.

Një nga akuzat më të rënda të raportit ishte ajo për heqje dhe trafikim organesh. Prokurori serb i Krimeve të Luftës, Vladimir Vukçevic thotë se ekipi i tij hetues ka qenë një burim i rëndësishëm për zotin Marti. Por vetë raporti nuk paraqet prova dhe nuk radhit burime. Zoti Raxhimi thotë se gjatë investigimeve të tij, grupi i tij nuk kishte gjetur të dhëna për këto akuza.

“Nuk kam parë. Kam parë kontradikta në rrëfimet që merrja përsa i përket gjërave që thoshte Del Ponte për Shtëpinë e Verdhë, por jo të tilla që mund të më çonin në mendime që mund të kishte ndodhur ndonjë gjë e tillë. Natyrisht që nuk mund të më çonin në mendime që nuk kishte ndodhur një gjë e tillë, por unë për vete jo”, thotë zoti Raxhimi.

Zoti Marti ka nxitur hetime nga EULEX-i për këtë çështje, por vetë ky mision u shpreh se nuk ka prova për heqjen e organeve në Shqipëri. Ja si shprehet Blerim Krasniqi i Eulex-it.

“Prokurorët dhe hetuesit e EULEX-it e kanë hetuar rastin e të ashtuquajturës ‘Shtëpi të Verdhë’. Megjithatë deri më sot ata nuk kanë gjetur ndonjë provë që do t’i bënte të besonin se në atë vend është kryer heqje organesh. Megjithatë EULEX-i i inkurajon të gjithë që të sjellin informacion lidhur me aktivitete kriminale dhe t’ia japin atë autoriteteve të duhura”.

Në raport ka akuza ndaj kryeministrit Hashim Thaçi si drejtues i një bande kriminale prapa heqjes së organeve. Zoti Thaçi i ka hedhur poshtë këto akuza.

Raporti skandaloz i anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dik Marti, është një tekst i mbushur me shpifje dhe gënjeshtra, të cilat janë riciklim i propagandës së vazhdueshme të qarqeve të caktuara që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj. Për më tepër, ky është një raport që tenton të njollos të gjithë shqiptarët në rajon”, tha Kryeministri Thaçi.

Ish prokurorja e Hagës Carla del Ponte ishte e para që bëri publike, në librin e saj "Gjuetia" dyshimet për një trafik organesh dhe përfshirjen e UÇK-së, si edhe përmendte të ashtuquajturën Shtëpi e Verdhë. Në raportin e zotit Marti dhe në komente të reja të zonjës Del Ponte thuhet se Shqipëria nuk ka bashkëpunuar me hetimin. Shqipëria ka reaguar me forcë ndaj këtyre pohimeve dhe raportit.

“Shqipëria dhe Kosova nuk mund t’i shohin më këto gjëra duke qenë në pozitë difensive siç ka ndodhur me akuza të hedhura më herët nga reagimet që ka pasur Serbia, apo Kroacia, apo Bosnja për raste të krimeve të luftës prej tyre, por të angazhohen që nëqoftëse ka të tillë akuza, hamendësime, apo supozime, t’i investigojnë seriozisht në mënyrë profesionale dhe pa pasur presione politike," thotë zoti Raxhimi.

Ai thotë se akuzat nuk duhet të anashkalohen si komplote anti-shqiptare. Por në një rajon ku mesa duket megjithëse kanë kaluar dhjetë vjet nga lufta, plagët nuk janë mbyllur, është e vështirë që të shihen me ftohtësi çështje të tilla me ngarkesa emocionale.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG