Lidhje

Abaz paraqet kërkesën për njohjen e shtetit të Palestinës

  • Dejvid Gollast
  • Margaret Bashir

Abaz paraqet kërkesën për njohjen e shtetit të Palestinës

Abaz paraqet kërkesën për njohjen e shtetit të Palestinës

Presidenti palestinez Mahmud Abaz i kërkoi zyrtarisht Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dje të njohë shtetin e Palestinës. Kryeministri i Izraelit Benjamin Netaniahu u kundërpërgjegj se shpallja e shtetit palestinez duhet të pasojë një marrëveshje të negociuar në rrugë paqësore, ndëra Kuarteti ndërkombëtar për Lindjen e Mesme bëri thirrje për bisedime të reja të drejtpërdrejta brenda një afati të përcaktuar kohor.

Veprimi i shumëpritur dhe kundërthënës nga pala palestineze u konkretizuara në një takim 10 minutësh në Kombet e Bashkuara, në të cilin zoti Abaz i dorëzoi zyrtarisht kërkesën me shkrim për njohjen e shtetit palestinez Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun.

Gjysmë ore më pas, Presidenti i Autoritetit Palestinez iu drejtua Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, ku u prit me ovacione, dhe bëri thirrje për mbështetje ndërkombëtare për atë që e cilësoi takim të Palestinës me historinë. Në vazhdim është zëri i përkthyesit:

"Unë them se ka ardhur koha për popullin tim kurajoz dhe krenar, pas dekadash pushtimi kolonial dhe vuajtjesh të pandërprera, të jetojë si të gjithë popujt e tjerë në tokë, i lirë në një atdhe sovran dhe të pavarur”.

Zoti Abaz tha se askush me një farë ndërgjegje nuk mund t’u kundërshtojë palestinezëve kërkesën për anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara.

Ndërsa dënoi politikat e Izraelit, përfshirë edhe ndërtimin e “murit racist të aneksimit” përreth Bregut Perëndimor, siç u shpreh ai, zoti Abaz tha se palestinezët janë gati që kthehen në tryezën e bisedimeve me Izraelin mbi bazën e një pezullimi të plotë të ndërtimit të vendbanimeve. Përsëri nëpërmjet përkthyesit:

"Përpjekjet tona nuk kanë qëllim izolimin e Izraelit ose delegjitimizimin e tij. Në fakt ne duam legjitimizimin e popullit të Palestinës. Ne kemi si qëllim vetëm delegjitimizimin e veprimtarisë së vendbanimeve, pushtimin dhe aparteidin, si dhe logjikën e forcës së papërmbajtur. Ne besojmë se tëgjitha vendet e botës janë me ne në këtë aspekt”.


Veprimi palestinez u konkretizua megjithë paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane që çështja e shtetit palestinez, megjithë kundërshtimet e Izraellit dhe jashtë bisedimeve të paqes, do të nxitë tensionet dhe do të prapsojë shpresat për një marrëveshje

Në fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara, pak pas fjalimit të zotit Abaz, Kryeministri izraelit Benjamin Netaniahu tha se se Izraeli do ta mbështesë shtetin palestinez, por vetëm pas arritjes së një marrëveshjeje paqësore që garandon sigurinë e Izraelit

Ai tha se Izraeli u largua nga Gaza, shpërnguli vendbanimet në vitin 2005 sipas kërkesës ndërkombëtare, por u shpërblye me marrjen e Gazës, me sume raketash nga grupi ekstremist Hamas.

"Izraeli është i gatshëm të ketë një shtet palestinez në Bregun Perëndimor, por nuk ne nuk jemi të gatshëm tëkemi një tjetër Gaza atje. Prandaj ne duhet të kemi marrëveshje serioze për sigurimin, të cilën palestinezët thjesht e refuzojnë në negociatat me ne”.

Zoti Netaniahu tha se çështja kryesore e konfliktit nuk janë vendbanimet, por refuzimi i palestinezëve të pranojnë shtetin Izraelit brenda çdo lloj kufijsh. Ai e sfidoi përsëri zotin Abaz të rihapë negociatat pa parakushte këtë javë që ata janë bashkë në Nju Jork.

”Kush mund të na ndalojëne? Çfarë mund të na ndalojë? Nëse ne duam me të vërtetë paqe, çfarë na pengon të takohemi sot dhe të fillojmë bisedimet e paqes?”

Këshillit të Sigurimit mund t’i duhen javëm e ndoshta edhe muaj për të shqyrtuar dhe vendosur për kërkesën palestineze.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe anëtarë tëtjetë të Kuartetit të Lindjes së Mesme, Bashkimi Evropian, Rusia dhe Kombet e Bashkuara, ofruan një propozim tjetër sje për bisedime të drejtpërdrejta.

Ata bënë thirrje që të dy palët të paraqesin propozime konkrete për teritorin dhe sigurinë brenda tri muajsh dhe të arrijnë marrëveshjen përfundimare deri në fund të vitit 2012. Kuarteti do të mbajë një konferencë në Moskë për këtë qëllim dhe atje do të zhvillohet një konferencë e veçantë donatorësh për tëmbështetur përpjekjet për ndërtimin e shtetit të Palestinës.

Shefja e politikës së jashtëme të Bashkimit Evropian Kethrin Ashton u tha gazetarëve se Kuarteti pret që palët të takohen brenda një muaji dhe pastaj brenda tri muajsh kërkon prej tyre përparim të dukshëm në bazë të propozimeve për kufijtë dhe sigurimin.

“Dhe brenda gjashtë muajsh duam të shikojmë që ky përparim të bëhet realitet. Prandaj një qasje gjithpërfshirëse ndaj çështjes të zbatohet me shpejtësi de negociatat të përfundojnë brenda 12 muajve”.

I dërguari i posaçëm i Kuartetit, ish kryeministri britanik Toni Bler theksoi se Presidenti Abaz i ka paraqitur kërkesën për njohje Sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, por kjo nuk përbën konflikt me thirrjen e Kuartetit për t’u ulur në tryezën e bisedimeve.

“Presidenti Abaz paraqiti kërkesën sot në Kombet e Bashkuara. Ajo do të hyjë në procedurën e OKB-së. Ashtu siç e kam thënë gjatë gjithë kohës, me rëndësi është se çfarëdo që të ndodhë në Kombet e Bashkuara që ajo të kombinohet me negociatat. Ne i duam këto dy gjëra jo në mospërputhje me njera tjetrën, por paralelisht dhe në përputhje me njera tjetrën”.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton e përshëndeti deklaratën, duke thënë se ajo përfaqëson besimin e patundur të komunitetit ndërkombëtar se një paqe e drejtë dhe e qendrueshme realizohet vetëm nëpërmjet negociatave mes palëve.

“Prandaj ne u bëjmë thirrje të dyja palëve ta shfrytëzojnë këtë mundësi për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve. Shtetet e Bashkuara zotohen se do t’i mbështesin, ndërkohë që palët hedhin hapa të rëndësishme për një zgjidhje me dy shtetet, për të cilën ne të gjithë shpresojmë të arihet”.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bshkuara, Ban Ki-mun tha se shpreson që të dy palët do t’i përgjigjen në mënyrë konstruktive deklaratës së Kuartetit.

I dërguari i Kuartetit Toni Bler tha se grupi nuk mund të detyrojë asnjërën prej palëve të ulet në tryezën e negociatave, por nëse Izraeli dhe Palestinezët e kanë seriozisht vendosjen e paqes, ata do t’u kthehen bisedimeve dhe do të parashtrojnë saktësisht qendrimet e tyre për çështjen e statusit përfundimtar.

XS
SM
MD
LG