Lidhje

SHBA, juria shpall fajtor imamin Abu Hamza


Një juri në qytetin e Nju Jorkut shpalli fajtor për rrëmbime dhe terrorizëm një predikues islamik i cili punonte në Londër.

Imami i njohur si Abu Hamza përballet me burgim të përjetshëm për përfshirje në rrembimin dhe vrasjen e turistëve perëndimorë në Jemen, për përpjekje për krijimin e një kampi terrorist në shtetin perëndimor amerikan të Oregonit dhe dërgimin e një pasuesi të tij në Afganistan për t’u trajnuar me talebanët.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Weaver sjell hollësitë.

Vendimi për shpalljen fajtor të klerikut Abu Hamza, emri i lindjes i të cilit është Mustafa Kamel Mustafa, pasoi një gjyq një mujor pjesë e të cilit ishte një juri e përbërë nga tetë burra dhe katër gra. Ata e e shpallën fajtor Abu Hamzan për të gjitha 11 akuzat për terrorizëm, përfshirë dërgimin e dy pasuesve për të ngritur një kamp trajnimi për xhihadin në Shtetet e Bashkuara, dërgimin e dy burrave për të ndihmuar al-Kaidën në Afganistan, dhe për dhënien e një telefoni satelitor pengmarrësve në Jemen.

Katër pengjet evropiane u vranë gjatë një përpjekje për shpëtimin e tyre. Dy të mbijetuar dëshmuan në gjyq, ashtu si edhe një ish- bashkëpunëtor i dënuar i Al - Kaidës nga Britania i cili dëshmoi përmes një linje të drejtpërdrejt televizive. Juria shikoi regjistrimet filmike dhe dëgjoi regjistrime të zërit të Abu Hamzës në të cilat ai i quan jo-myslimanët "derra" dhe justifikon rrëmbimin e tyre.

Abu Hamza, i lindur në Egjipt, u ekstradua nga Britania e Madhe pasi vuajti një dënim me shtatë vjet burg atje për nxitje të vrasjeve dhe urrejtjes raciale. Ai doli në podium për të dëshmuar në mbrojtje të tij, ku mohoi lidhjet me xhihadistët, dhe tha se ai më parë ka kërkuar falje për predikimet e tij ekstremiste. Ai filloi të qante kur përshkruajti masakrën e vitit 1995 kundër myslimanëve në Bosnje. Ai tha se nuk kishte dijeni në lidhje me planin jemenas të pengmarrjes dhe i kishte bërë thirrje rrëmbyesve t'i jepnin fund operacionit kur ai kishte folur me ta në telefon.

Karen Greenberg, drejtore e Qendrës së Universitetit Fordham për Sigurinë Kombëtare, tha se gjatë gjykimit Abu Hamza dukej se ishte i zhytur në mendime dhe madje sillej se një "akademik".

"Ai nuk e përdori këtë si një tribunë për përhapjen e islamit ose xhihadit. Ai bëri të kundërtën. Sa herë që iu dha mundësia, ai u tërhoq nga ideja e dhunës dhe foli më shumë për aspektet e dobishme të fesë".

Por në argumentet përmbyllëse, prokurorët i bënë thirrje jurisë që të mos "mashtroheshin" nga dëshmia Abu Hamzës, duke thënë se ai po përpiqej të "tregonte" një version të vetes së tij që është në kundërshtim me provat që tregojnë se ai ishte një udhëheqës i përkushtuar i xhihadit të dhunshëm

Avokati mbrojtës Jeremy Schneider tha se provat kundër Abu Hamzës ishin vetëm fjalë, e jo vepra.

Abu Hamza përballet me burgim të përjetshëm më vonë këtë vit kur të shpallet vendimi për dënimin e tij.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG