Lidhje

Abu Qatada deportohet nga Britania


Prokurorët ushtarakë jordanezë akuzuan klerikun radikal islamik Abu Qatada se ka komplotuar për të kryer sulme terroriste. Akuzat ngrihen vetëm pak orë pas deportimit të klerikut nga Britania.

Agjencia franceze e lajmeve citon avokatin e Abu Qatadës, sipas të cilit predikuesi mysliman deklaroi se nuk ishte fajtor dhe se apelimi për lirimin e tij me kusht do t'i paraqitet nesër gjykatës në Aman.

Deportimi i Abu Qatadës sot në mëngjes i dha fund një beteje ligjore që zgjati gati një dekadë, lidhur me kthimin e tij në Jordani për t'u përballur me akuzat për terrorizëm.

Deportimi vjen pas ratifikimit nga Britania dhe Jordania të një traktati mbi torturën, që synon të zbutë shqetësimet për shkelje të të drejtave të njeriut, të cilat kishin penguar përpjekjet e mëparshme për deportimin e klerikut jordanez me origjinë palestineze.

53-vjeçari Abu Qatada, i cili konsiderohej si krahu i djathtë i Osama bin Ladenit në Europë, pritet të përballet me rigjykim lidhur me disa akuza për terrorizëm në Jordani, ku ai është dënuar në mungesë.

Që nga viti 2001, qeveritë e Britanisë ishin përpjekur për deportimin e tij, por gjykatat britanike dhe ato në Evropë e kishin bllokuar ekstradimin për shkak të shqetësimeve se Jordania mund të përdorte kundër tij dëshmi të marra në kushtet e torturës.

Traktati i ratifikuar muajin e kaluar i zbuti këto shqetësime. Zyrtarët britanikë e përshëndetën largimin Abu Qatadës.
XS
SM
MD
LG