Lidhje

Abuzimet e paqeruajtësve të OKB-së


Kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, senatori republikan Bob Corker, kërcënoi se do të pakësohen fondet për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, për shkak të sjelljes së keqe të paqeruajtësve. Ai tha se raportimet për abuzime nga paqeruajtësit e OKB-së janë lënë pa u verifikuar prej një kohe të gjatë:

"Kombet e Bashkuara rrezikojnë të bëhen objekt kritikash të mëdha, që do të shoqërohen me masa të rënda ndëshkuese kundër tyre, si pakësimi i fondeve për shkak të paaftësisë, ngathtësisë, mungesës së shqetësimit, edhe 10 vjet pasi e lejuan të ndodhin këto veprime.”

Zoti Corker dhe senatorë të tjerë shprehën revoltim për një sërë raportimesh për abuzime seksuale dhe sjellje të pahijshme, si nga personeli i OKB-së, por edhe i organizatave të tjera që kanë dërguar forca ushtarake dhe policore kryesisht në Afrikë.

Shtetet e Bashkuara kontribuojnë me rreth çerekun e buxhetit vjetor prej 8 miliardë dollarësh për paqeruajtësit e OKB-së. Një zyrtar dëshmoi para Komisionit të Kongresit se disa vende janë duke marrë masa kundër personave që mendohet të kenë kryer abuzime.

"Ka njëzetë procese gjyqësore që ka hapur Republika Demokratike e Kongos, kundër paqeruajtësve, të cilët janë akuzuar për këto veprime; po ashtu, edhe Republika e Afrikës së Jugut, ka ngritur një gjykatë ushtarake për këtë çështje. Ne e dimë se nga çfarë vendesh janë trupat paqeruajtëse dhe do të vazhdojmë ta ndriçojmë këtë çështje”.

Kombet e Bashkuara kanë vënë në zbatim masa të reja, më të ashpëra kundër paqeruajtësve të akuzuar, si dërgimin në shtëpi të paktën të dy kontingjenteve me trupa.

Por megjithë këto përpjekje, vazhdojnë të shfaqen akuza të reja lidhur me abuzimet e paqeruajtësve.

XS
SM
MD
LG