Lidhje

Abuzimet me energjinë elektrike në Shqipëri


Humbjet e energjisë në rrjet kanë shkuar mbi 50 për qind dhe autoritetet po mendojnë që të forcojnë ndëshkimet kundër abuzuesve

Drejtuesit e Qarkut të Tiranës krijuan sot njësinë e posaçme kundër abuzimeve me energjinë elektrike dhe mospagimi e faturave të saj. Vjedhja dhe mospagimi i energjisë është bërë shqetësim kryesor për ekonominë. Ministri Damian Gjiknuri deklaroi në një takim me përfaqësuesit e pushtetit vendor të kryeqytetit, se gjysma e energjisë elektrike humbet në rrjet nga vjedhjet dhe abuzimet, një pjesë tjetër që faturohet nuk paguhet, ndaj njësia e posaçme është ngritur në një periudhë kritike për të ndryshuar gjendjen.


Ministri Gjiknuri tha se arkëtimet po rriten, por cështja më delikate është vjedhja. Sipas tij, janë vënë në pikëpyetje të gjitha investimet në fushën energjisë, sepse prodhohet me sakrifica një mall që vidhet masivisht, dhe vendi po e vuan këtë abuzim dhe mund ta vuajë akoma më tej nëse nuk ndryshon gjendja. Ndëshkimet, sipas ministrit Gjiknuri, po nisin nga shpërdoruesit dhe abuzuesit e mëdhenj e me radhë tek të tjerët, jo më me gjoba por me burgim.

Nga drejtuesit e rinj gjendja vlerësohet si e mjerueshme, me abuzim dhe korrupsion të trashëguar. Ata kanë thirrur në ndihmë policinë, prokurorinë dhe gjykatat, që të dënojnë realisht vjedhësit e energjisë, qofshin biznese të mëdha, të mesme, të vogla dhe qytetarë të thjeshtë

Drejtuesit e qarkut kërkuan që të gjithë nëpunësit e administratës të paguajnë faturat e energjisë elektrike, përndryshe mund të largohen nga puna. Po ashtu edhe qeveria ka nisur shlyerjen e borxheve të vjetra të institucioneve ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë. Drejtuesit pohuan se nuk do të ketë më amnisti për faturat e papaguara, sic ka ndodhur vite të tjera.

Energjia e hidrocentraleve vendase nuk mjafton, Shqipëria blen energji elektrike nga jashtë, rrjeti është i dëmtuar në një pjesë të konsiderueshme nga ndërhyrjet e paligjshme, megjithatë shteti po mundohet të pandryshuar çmimin e energjisë për popullatën, në këto kohë të vështirë krize ekonomike.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG