Lidhje

Abuzimet me ndihmat ekonomike, gati programi kundër varfërisë


Me programin e ri pritet që përfituesit e ndihmës ekonomike të jenë dyfish, pra, mbi 60 për qind e familjeve ekstremisht të varfër.

Fushë Kruja është jozyrtarisht një nga zonat më të varfëra të Shqipërisë. Qyteza me mbi 27 mijë banorë dhe me papunësi të lartë e të pastudiuar ka vetëm 186 familje që marrin ndihmë ekonomike 40-50 dollarë nga shteti dhe 50 familje që marrin në ndihmë të vogël nga bashkia. Drejtuesit e pushtetit vendor pohojnë se ndihmat ekonomike nuk e zbutin varfërinë, por vetëm mbajnë me ushqim të varfër familjet në gjendje të rëndë emergjence, ndërkohë që edhe vetë bashkia ka borxhe të vjetra.

Kryetari i bashkisë, Gjon Bardhi, thotë se niveli ekonomik i Fushë Krujës është mjaft i ulët, dhe se ka shumë familje në varfëri të thellë. Peshën kryesore e mban biznesi i vogël, por edhe ai po përballet me vështirësi të shumta. Bizneset familjare dhe puna në të zezë janë gjerësisht të pranishme, por papunësia është e lartë dhe jashtë kontrollit.

Jo rastësisht, pra, Fushë-Kruja është një nga tre zonat, ku sapo ka nisur nga puna sistemi i ri elektronik të ndihmës ekonomike. Me pak fjalë, një program i ri kompjuterik dhe një formulë e posaçme do të gërshetojë të dhënat për çdo shtetas nga të gjithë institucionet dhe do të nxjerrë familjet, që e meritojnë ndihmën ekonomike. Kjo do të zhdukë abuzimet me ndihmat ekonomike dhe do t'i ndajë më drejt ato.

Sipas studimit të ministrisë së mirëqenies sociale dhe Bankës Botërore, programi i ri do të dyfishojë numrin e familjeve që përfitojnë nga ndihma ekonomike. Deri sot Shqipëria numëron rreth 44 për qind familje të varfëra dhe ekstremisht të varfëra, nga të cilat përfitojnë ndihma ekonomike rreth 30 për qind e tyre. Me sistemin e ri kompjuterik, pritet që përfituesit e ndihmës të jenë dyfish, pra, mbi 60 për qind e familjeve ekstremisht të varfër. Kjo do të bëhet duke zhdukur abuzimet dhe duke rritur fondin e ndihmës.

Zyrtarët pohojnë se ndihma ekonomike deri tani është shpërndarë me mungesë dokumentash, pamundësi verifikimi mbi të dhënat e paraqitura, dhe llogaritje të gabuara mbi gjendjen, që nuk ka patur asnjëherë ndonjë bazë qendrore të dhënash.

XS
SM
MD
LG