Lidhje

Diskriminim i fëmijëve romë në shkolla


Qendra Europiane për të Drejtat e Romëve, organizata dhe institucione që mbrojnë të drejtat e njeriut u mblodhën në Tiranë për të vepruar kundër segregimit të fëmijëve romë dhe egjiptianë në shkollat shqiptare.

Ata u përqëndruan në dy rastet e Korçës dhe Moravës, ku fëmijët e pakicave ndahen në klasa dhe në shkolla të veçanta.

Drejtori i Qendrës Europiane për të Drejtat e Romëve Adam Weis, tha se “segregimi i pakicave në shkolla është shkelja më e rëndë dhe më djallëzore e të drejtave të tyre, ndaj të gjitha palët duhet të bashkohen për ta fshirë këtë dukuri nga Shqipëria”.

Raportet shënuan se në shkollën publike 9-vjeçare në Korçë të gjithë nxënësit janë nga pakica rome dhe egjiptase, duke u bërë shembulli më i veçantë i segregimit në shkolla.

Banorët e tjerë nuk i pranojnë fëmijët me origjinë rome dhe egjiptase dhe asnjë fëmijë tjetër përveç roma dhe egjiptas nuk u regjistrua aty.

Shkolla me 280 studentë ka 223 nxënës egjiptianë dhe 57 romë, sipas drejtorisë rajonale të arsimit në Korçë.

Shkolla të tjera pranë “Naim Frashëri”, si “Ismail Qemali” dhe “Asdreni” kanë nxënës nga të gjithë kombësitë të pakicës dhe shumicës.

Organizatat vendase dhe të huaja mbajtën shkollën “Naim Frashëri” me ndihma dhe paketa ushqimore për shumë vite, me roba, lapsa dhe libra. Si rezultat i kësaj, fëmijët e shumicës u regjistruan në shkolla të tjera, të cilët sipas prindërve, kërkonin një cilësi më të mirë shkollimi.

Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Irma Baraku, në shtator vërejti diskriminimin e tërthortë të fëmijëve të komunitetit rom dhe egjyptian të shkollës “Naim Frashëri” në Korçë për shkak të racës dhe etnisë.

Ajo i kërkoi ministrisë së arsimit dhe drejtorisë arsimore në Korçë të ndërgjegjësojnë mësuesit dhe të ndryshojnë raportin e nxënësve, që i përkasin komunitetit rom/egjyptianë dhe bashkësive të tjera.

Avokati i Popullit Igli Totozani kërkoi rishikimin e politikave arsimore dhe vëzhgimin e vazhdueshëm, që të përjashtohet segregimi i komunitetit rom dhe egjiptian në shkolla të veçuara.

Ai kërkoi që zyrtarët e arsimit të detyrohen me ligj për të luftuar segregimin për shkak të racës.

Po ashtu zoti Totozani nxiti zyrtarët të vëzhgojnë arritjet e fëmijëve roma në shkollë, të mbështeten ata nxënës që mbeten mbrapa; po ashtu ministria e arsimit duhet të ngrejë, sipas tij, një mekanizëm qendror që të vëzhgojë zbatimin e masave kundër segregimit në të gjitha shkollat e vendit.

Në Moravë, ishte rasti i dytë shkolla “Abdyl Avdia”, me 45 nxënës, e cila varet nga shkolla fillore “Shaban Sollaku”, i ka të gjithë nxënësit vetëm nga komuniteti rom.

Ky u vlerësua si një rast i pastër segregimi. Pak familje të komunitetit jo-rom, me fëmijët në të njëjtën shkollë, nuk u futën në shkollën “Abdyl Abdia”, por ngritën një klasë të veçantë në shkollën kryesore Shaban Sollaku.

Po ashtu, transporti falas nuk u sigurohet fëmijëve rom për afro 2 km.

Rasti i shkollës së Moravës po shqyrtohet prej Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Një nga mesazhet kryesore të konferencës ishte që të vëzhgohen në nivel vendor dhe qendror rrjedhimet e ligjeve, politikave, praktikave, etj. që të mos ndodhë më segregimi i fëmijëve roma dhe egjyptianë në shkolla.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG