Lidhje

Tiranë: Të burgosurit politikë në vështirësi pas 25 vjetësh


Ish të burgosurit dhe të përndjekurit politikë të regjimit komunist kujtuan 25 vjetorin e krijimit të shoqatës së tyre, pasi fituan pafajësinë e tyre për burgimin e padrejtë për shkak të bindjeve të tyre.

Disa qindra prej tyre u bashkuan në konventën me titull: “45 vite në kërkim të lirisë, 25 vite në mbrojtje të saj”.

Përfaqësues të përndjekurve politikë kujtuan sakrificat e anti-komunistëve në diktaturë, duke theksuar se edhe sot pas 25 vjetësh në liri, riintegrimi dhe rehabilitimi i tyre nuk ka përfunduar dhe krimet ndaj shtresës së tyre ende nuk janë zbardhur.

Në Konventë mori pjesë edhe presidenti Bujar Nishani, i cili kërkoi zbatimin sa më parë të ligjit për hapjen e dosjeve të diktaturës.

Shoqata e të përndjekurve politik u krijua 25 vjet më parë sapo parlamenti i parë pluralist pas gjysmë shekulli diktaturë komuniste shpalli të pafajshëm të gjithë të burgosurit e bindjes.

Drejtuesi i saj i parë ishte Osman Kazazi, i cili vuajti mbi 30 vjet burgim të rëndë.

Ish të dënuarit politikë po marrin tani disa pagesa për vitet e jetës dhe të punës që humbën gjatë burgimeve të padrejta.

Megjithatë vlerësohet gjerësisht nga ekspertët se ato janë të pamjaftueshme për rehabilitimin e tyre shëndetësor dhe për riintegrimin e tyre dinjitoz në shoqëri.

Parlamenti Europian ka kërkuar me disa rezoluta që Shqipëria të vazhdojë zbardhjen dhe dokumentimin e krimeve të diktaturës komuniste, e cila ka qenë një ndër rregjimet më të egra në Europën Lindore të ish kampit socialist.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG