Lidhje

SHBA: Presion mbi administratën për Bengazin


Shtëpia e Bardhë u ballafaqua me presion të fortë dje lidhur me qëndrimin dhe shpjegimet që dha për sulmin e vjetshëm terrorist ndaj misionit diplomatik amerikan në Bengazi të Libisë, ku gjetën vdekjen ambasadori amerikan dhe tre amerikanë të tjerë.

Zhvillimet e fundit përfshijnë pikat e diskutimit që kishin përgatitur shërbimet e zbulimit dhe mbi të cilat u bazuan zyrtarë të administratës Obama, përfshirë ambasadoren amerikane në OKB, Susan Rice, në komentet e tyre për sulmin në Bengazi.

Rrjeti mediatik ABC njofton se mesazhet elektronike të kësaj periudhe tregojnë se kishte pasur redaktime të shumta në variantin që u përgatit para komenteve të zonjës Rice. Aty mësohet se një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit i kishte kërkuar CIA-s të eliminonte referencat për lidhje me një grup të al-Kaidës, si dhe për kërcënime të mëparshme ekstremiste, pasi informacioni mund të shfrytëzohej për të kritikuar Departamentin e Shtetit.

Publikimi i këtyre hollësive e ka vënë Shtëpinë e Bardhë përballë presionit, ndërkohë që administrata ka akuzuar republikanët në Kongres se po e politizojnë çështjen e Bengazit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney hodhi poshtë aludimin se Shtëpia e Bardhë ishte e përfshirë në ndonjë prapaskenë me synimin për të mbuluar të vërtetën dhe se bëhej fjalë vetëm për ndryshime stilistikore:

“Kjo do të ishte më e rëndësishme nëse nuk do ta kishim pranuar që në fillim se mendonim që ekstremistë mund të ishin përfshirë, po të mos kishim pohuar që në fillim se mund të ishte përfshirë Ansar Al-Sharia apo vetë al-Kaida ose rrjete të lidhura me të. Këto janë përpjekje për të akuzuar administratën se është përjekur për të fshehur diçka që në fakt nuk e fshehëm”.

Të enjten kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner tha se hetimi nga komisioni i udhëhequr nga republikanët tregon se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kishin këmbëngulur që të hiqeshin referencat për terrorizëm.
Zoti Boehner i bëri thirrje administratës të nxjerrë mesazhet elektronike në mënyrë që të vazhdojë hetimi:

“Vjet në nëntor Presidenti tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me Kongresin në çdo formë që kërkon Kongresi. Tani ka rastin të tregojë bashkëpunimin e tij në mënyrë që të nxjerrim të vërtetën për ngjarjet në Bengazi”.

Sekretari i Shtetit John Kerry shprehu dje keqardhjen që çështja e Bengazit po politizohej:

“Është tragjike, por nuk dua që të shndërrohet në një proces të tejzgjatur, politik që në fakt nuk zbulon asgjë të re për faktet”.

Një ligjvënës republikan ka kërkuar ngritjen e një komisioni të pavarur dypartiak për të hetuar sulmin në Bengazi.
XS
SM
MD
LG