Lidhje

Vendoret, e majta 41 Bashki, e djathta 13


Mbyllet votimi ne 55 nga 61 Bashkitë e vendit. Surprizë disa rezultate të së majtës në Veri, e djathta hakmerret në jug, merr Përmetin dhe Pogradecin. Në Tiranë distancë e thellë e Veliajt

Në Shqipëri procesi i numërimit është mbyllur në pjesën dërrmuese të Bashkive, ku nga 55 të tilla deri në mesditë, koalicioni i majtë i drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka marrë 41 prej tyre. Vetëm 13 i shkonë së djathtës, ndërsa partia që përfaqëson minoritetin grek Mega, ka siguruar drejtimin e Bashkisë së Finiqit.

Rezultatet kanë ofruar jo pak surpriza. E majta ka mundur të marrë disa Bashki në veri, të cilat historikisht kanë qenë të djathta, ndërsa ka humbur në të tjera që konsideroheshin si pika të forta të saj në jug të vendit. Koalicioni i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ka shtrirë praninë e saj në disa bashki në Veri, me fitore të papritura në Has, Pukë, Fushë-Arrës,por dhe në Dibër, ndërkohë që ka lëshuar Matin. Jo më pak surprizë janë dhe disa fitore të së djathtës, si ato në Përmet, në Pogradec apo dhe në Selenicë e Mallakastër, e mbrëmjen e djeshme edhe në Lezhë. Koalicioni i udhëhequr nga Lulzim Basha ka mundur të ngushtojë diferencën deri në disa qindra vota edhe në Berat, zonë ku e majta ka qenë me një avantazh prej mijëra votash ndaj saj.

E majta ka konfirmuar fitoren e saj thuajse në të gjitha Bashkitë e mëdha, si Fieri, Vlora,Korca, Lushnja, Gjirokastra dhe Elbasani. E majta ka zgjeruar vazhdimisht avantazhin e saj në kryeqytet. Kandidati i saj Erion Veliaj ka krijuar një diferencë prej më shumë se 43 mijë vota kur kanë mbetur pa numëruar vetëm një grusht kutishë votimi. Zoti Veliaj është mbi 14 pikë përqindje ndaj kandidatit Halim Kosova. Në Tiranë bie në sy se kandidati i pavarur Gjergj Bojaxhi vazhdon të ruajë një kuotë prej 5-6 përqind të votave. Një shifër domethënëse, nëse kihet parasysh se rivalët e tij kishin mbështetjen e një numri të madh forcash politike.

Edhe në Durrës, ku procesi po ecën me ngadalësi, kandidati i majtë Vangjush Dako ka vazhduar gjithashtu të thellojë diferencën me rivalen Grida Duma. Kur janë numëruar gati dy të tretat e kutive të votimit, zoti Dako ka arritur një diferencë me afër 10 mijë vota mijë vota, dhe me 15 pikë përqindje më shumë.

Ndër Bashkitë e mëdha, e djathta duket se do të rikthejë kontrollin e saj në Shkodër pas humbjes në zgjedhjet e 2013-ës. Kandidatja Voltana Ademi është në avantazh të dukshëm ndaj rivales të së majtës Keti Bazhdari. Ndërsa janë numëruar afër 70 përqind e kutive, zonja Ademi është afër 9 mijë vota më shumë.

XS
SM
MD
LG