Lidhje

Ohër: Takim i Kartës së Adriatikut dhe SHBA


Në Ohër të Maqedonisë po mbahet një konferencë e shefave të ushtrive të vendeve të Kartës së Adriatikut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si partnerë të anëtarëve të grupit A 5.
Në takim është diskutuar mbi sigurinë rajonale dhe globale.
Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov, duke folur për bllokadën që po i bëhet vendit të tij kundrejt antarësimit në Nato, tha se Aleanca po bën një gabim strategjik. Ai hodhi kritika në adresë jo vetëm të Greqisë, por edhe të Natos, duke kërkuar respektimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi në Hagë lidhur me çështjen e emrit të Maqedonisë.
Ai foli për nevojën zhvillimit të “mekanizmave parandalues në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit të luftëtarëve terroristë”, siç tha. Presidenti maqedonas vlerëson se vendet e grupit të Adriatikut duhet të integrohen në arkitekturën e sistemit të sigurisë së Natos dhe të Bashkimit Evropian me një qasje të lirë tek të gjitha bazat e të dhënave.
Shefi i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli të Italisë, admirali Mark Ferguson, i cili përfaqëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha se dyert e NATO-s mbeten të hapura, që tash mund të jetë një sfidë edhe më e madhe se sa që ishte në vitin 2003.
Konferenca ka për temë përpjekjet e përbashkëta për arritjen e qëllimeve të Natos dhe të partnerëve si dhe aftësitë e forcave të tyre. Në Ohër janë të pranishëm përfaqësuesë të vendeve të A-5, Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnje e Hercegovina. Kosova, në cilësinë e të ftuarit të posaçëm, përfaqësohet në këtë takim nga Gjeneral nënkolonel Rrahman Rama, komandant i Forcave të Sigurisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG