Lidhje

Dhuratat e majme ndaj zyrtarëve do të hetohen


Kryeinspektori Adriatik Llalla i propozoi parlamentit ndryshime ligjore për të lejuar hetimet ndaj dhuratave që korruptojnë zyrtarët.

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive deklaroi sot se “rreth 80 për qind të padive për shkelje të zyrtarëve me pasuritë rrëzohen nga prokuroria në mënyrë të padrejtë”. Kryeinspektori Adriatik Llalla i dha sot këto deklarime bashkë me njoftimin se i ka propozuar parlamentit disa ndryshime ligjore që synojnë të hetojnë dhe shmangin dhuratat dhe borxhet si një mënyrë për të korruptuar zyrtarët.

Drejtuesi i këtij institucioni, Adriatik Llalla, thotë “këto ndryshime ligjore lindën nga dyshimet se në deklarimet e fundit të pasurive u shfaqën shumë hua, borxhe dhe dhurata që zyrtarë të lartë, deuptetë, politikanë dhe gjyqtarë e prokurorë kanë marrë nga persona të tretë”. Kryeinspektori Llalla thotë se në pamundësi për të hetuar personat që i marrin këto dhurata për shkak të imunitetit, ndryshimet ligjore synojnë që të hetohen personat që i japin këto dhurata të majme dhe qëllimet pse i japin këto dhurata.



Zoti Llalla i bëri këto komente në një veprimtari të përbashkët me ministrinë e drejtësisë pikërisht për bashkëpunimin në hetimet mbi pasuritë e paligjshme dhe korrupsionin përmes bazave digjitale të hipotekave. Ministri i drejtësisë, Eduard Halimi, tha se “qeveria i miratoi menjëherë ndryshimet e sjella nga ILDKP-ja dhe aktualisht ato janë pranë komisioneve parlamentare”.

Lufta ndaj korrupsionit ishte temë kryesore edhe në deklaratat e sotme të opozitës. Deputeti i PS, Ditmir Bushati, deklaroi se qeveria duhet të përqendrohet dhe të jetë më serioze në luftën ndaj korrupsionit dhe 12 rekomandimet e BE-së, dhe të mos humbë kohë me referendume pa kundërshtarë për imunitetin, sepse edhe PS është pro heqjes së imunitetit në dobi të antikrrupsionit.

“Çdo shqiptar e ka tanimë të qartë se zelli i Kryeministrit për heqjen e imunitetit dhe referendumin pa kundërshtar është një përpjekje e dëshpëruar për të fajësuar opozitën për korrupsionin e qeverisë e klientëve të saj, e për të darovitur sadopak nga vetja përgjegjësinë historike për dështimet në procesin e integrimit europian. Thirrjet për referendum janë absurde. Referendumi s’ka kundërshtar pasi Partia Socialiste e ka deklaruar prerë me fjalë e vepra dhe në mënyrë të përsëritur se është pro kufizimit të imunitetit, pro çrrënjosjes së kulturës së pandëshkueshmërisë, pro ndarjes së shtetit nga pushteti” - tha zoti Bushati.

Të gjitha palët në mënyrën e tyre po bëjnë gjithsesi diçka ndaj korrupsionit. Përveçse një kërkesë e vazhdueshme e opinionit qytetar shqiptar, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është në ndër 12 rekomandimeve kryesore që BE i ka adresuar Shqipërisë nga progres raporti i një viti më parë, dhe që do të verifikohet në progres raportin e tetorit, i cili do të kthejë një përgjigje, nëse ato janë plotësuar sa duhet për të marrë statusin e vendit kandidat.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG