Lidhje

“Lufta ndaj korrupsionit të nisë nga drejtësia”


Intervistë me kryeinspektorin e Inspektoriatit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Adriatik Llalla

Kryeinspektori i Kontrollit te Pasurive ne Shqiperi, Adriatik Llalla, deklaroi sot ne Tirane se lufta kunder korrupsionit duhet te filloje nga pastrimi i organeve te drejtesise. Zoti Llalla tha ne nje interviste per Zerin e Amerikes, se ILDKP e sheh me shqetesim menyren se si organet e drejtesise veprojne me denoncimet e ketij institucioni mbi pasurite e dyshuara si te parregullta te zyrtareve dhe politikaneve. Ai tha se dyshonte se prapa cdo denoncimi te rrezuar mund te qendrojne favore qe zyrtaret u bejne njerezve te drejtesise. Ne intervisten me Zërin e Amerikës, zoti Llalla foli edhe per nismen e fundit qe te hetohen edhe pasurite e personave qe u bejne dhurata zyrtareve deri ne dhjetra mijera euro.



Zëri i Amerikës: Zoti kryeinspektor, çfarë keni konstatuar në këto 4700 deklarata pasurie që kanë sjellë zyrtarët deri tani apo në verifikimin e rreth 190 deklarata pasurie veçan tyre nga shorti?

Adriatik Llalla: Këto deklarata vijojnë ende të jenë në procesin e kontrollit. Institucioni ynë po mbledh të dhëna në të gjitha institucionet publike dhe jopublike në funksion të kontrollit që kryen për hetimin e këtyre rasteve. Besojmë se fundi i muajit shtator dhe tetori do të jetë afati kur ne do të bëjmë publike deklaratat, rezultatet e këtij kontrolli.

Zëri i Amerikës: Zoti Llalla! Ju keni thënë shpesh që shumë nga denoncimet e zyrtarëve me shkeljet që ju keni gjetur në deklaratat e pasurisë i çoni në prokurori apo insitucione të tjera, por ato pezullohen nga organet e drejtësisë, hidhen poshtë dhe kthehen përsëri në hetime te mëtejshme. Çfarë nuk shkon në bashkëpunimin midis institucioneve të drejtësisë, pra për të luftuar më mirë korrupsionin në radhët e administratës shtetërore?

Adriatik Llalla: Ajo çka nuk shkon është mosfunksionimi në mënyrën e duhur e institucioneve të drejtësisë. Ne gjykojmë se mjaft raste të kallëzuara ose të dërguara në rajon për gjykim nuk hetohen ose nuk jepen zgjidhjet e duhura ligjore. Kjo mendojmë se ndodh për shkak se vendimet jepen në shkëmbim të favoreve të ndryshme për zyrtarët e kallëzuar prej nesh. Ne kemi denoncuar publikisht, kemi ankimuar këto raste, më pas si në gjykatë kemi vënë në dijeni kuvendin apo institucione të tjera kushtetuese, nga të cilat ne varemi. Gjykojmë sërish se institucionet e drejtësisë kanë nevojë që të jenë më transparente dhe pikërisht janë institucionet ku duhet të fillojë lufta ndaj korrupsionit.

Zëri i Amerikës: Zoti Llalla! Bashkimi Europian pritet që mbas disa javësh të nxjerrë raportin vjetor të progresit lidhur me ecurinë e Shqipërisë. Midis 12 rekomandimeve është edhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit. A keni ndonjë vlerësim ju si drejtues i institucionit të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit lidhur me përpjekjet që bën Shqipëria për ta luftuar korrupsionin?

Adriatik Llalla: Ne e shohim me shqetësim mënyrën se si drejtësia lufton për të reflektuar ndaj korrupsionit. Kjo më tepër lidhet me rastet kur ne kallëzojmë apo ankimojmë në gjykatë rastet e zyrtarëve që konstatohen se janë shkelje të ligjit. Zyrtarët që janë gjetur në shkelje të ligjit kanë qenë të të gjitha kategorive, duke filluar nga tatimorë, doganierë, gjyqtarë, prokurorë, ministra, zëvendës-ministra, deputetë, të zgjedhur lokalë etj. Për ne zyrtarët nuk ka rëndësi se janë në periferi apo në qendër. Ne kemi kallëzuar në të gjitha rastet zyrtarët që janë gjetur në shkelje të ligjit.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeinspektor, ju i keni kërkuar parlamentit, dhe qeveria i ka kaluar ato në parlament disa amendamente për të forcuar ligjin e institucionit tuaj, pra për të hetuar edhe persona të tretë që u bëjnë dhurata zyrtarëve shqiptarë. Çfarë konkretisht doni të hetoni tek dhuruesit e këtyre pasurive?

Adriatik Llalla: Hetimi i personave të tretë eshtë një domosdoshmëri që na e ka diktuar puna jonë e përditshme. Në mjaft raste krijohen dyshime të arsyeshme se zyrtarë të ndryshëm, pasurinë e krijuar në mënyrë jo të ligjshme, pra në këmbim të favoreve të ndryshme e qytetarët e fshehin në emër të personave të tretë që janë lidhje familjare apo shoqërore. Mjaft zyrtarë krijojnë dyshime se pasurinë e krijuar në mënyrë jo të ligjshme e kanë fshehur në lidhje familjare ose shoqërore në forma të ndryshme duke regjistruar në emër të personave të ndryshëm të lidhur me ta apo duke hapur llogari bankare në emër të tyre. Po kështu janë edhe rastet e dhuratave, një tjetër problem shqetësues që ne hasim ne punën tonë të përditshme. Pengesa ligjore që ne kemi deri tani pra që ligji parashikon që ne kemi të drejtën për të kërkuar deklarimin e pasurisë nga personat e tretë, por nuk parashikon sanksionet ndaj tyre nëse ata nuk e përmbushin këtë detyrim. Kjo ka bërë që shumë qytetarë të kësaj kategorie, mos t’i pergjigjen kërkesës tonë për të deklaruar interesat e tyre private. Besojmë se me miratimin e amendimeve ligjore që ne kemi kërkuar kjo pengesë do të hiqet dhe ne do të kemi mundësinë tashmë të hetojmë personat e tretë për të provuar pasurinë që ata kanë. Ata do të kenë detyrimin ligjor të deklarojnë pasurinë brenda institucionit tonë dhe njëherazi ligjshmërinë e burimeve e krijuara prej tyre. Ky do të jetë një hap i rendësishëm në drejtim të hetimeve që ne kryejmë, gjithashtu për të nxjerrë para ligjit zyrtarët që dyshohen se fshehin pasurinë në mënyrë jo të ligjshme po ashtu edhe qytetarët që na fshehin pasurinë e zyrtarëve në këto raste.

Zëri i Amerikës: Zoti Llalla! Cilat janë dhuratat më paradoksale dhe më të mëdha që u janë bërë zyrtarëve shqiptarë dhe ku bazohen, çfarë janë këto dhurata kaq të mëdha për zyrtarët shqiptarë?

Adriatik Llalla: Në vlerësimin tonë, në mjaft raste kjo është mënyra e ndjekur nga mjaft zyrtarë për të fshehur pasurinë e krijuar në mënyrë jo të ligjshme. Këto dhurata janë shuma të mëdha të hollash, objekte, zyra, shtëpi banimi, toka etj. këta zyrtarë deklarojnë se marrin dhuarata, huamarrje në forma të ndryshme nga lidhjet e tyre familjare dhe shoqërore, të cilat shërbejnë si një mënyrë për të fshehur në mjaft raste pasurinë e krijuar në mënyrë jo të ligjshme. Ata i deklarojnë këto dhurata, por dhuruesit e tyre nuk deklarojnë pranë nesh arsyet e këtyre dhurimeve në shuma të mëdha dhe burimin e krijimit të këtyre pasurive që i dhurojnë. Janë shuma që fillojnë nga 10 mijë euro dhe kalojnë deri në 100 mijë euro.
XS
SM
MD
LG