Lidhje

Afganët me shpresë, por edhe të shqetësuar rreth së ardhmes


Gjatë 4 vjetëve të fundit, Afganistani ka pasur disa flamuj dhe hymne kombëtare. Pas disa dekada ndryshimesh politike, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Sharon Behn njofton nga Kabuli lidhur me shqetësimet mbi tranzicionin e vështirë pas tërheqjes së forcave ndërkombëtare luftarake në vitin 2014.

Klasa e mesme në qytetet afgane, përfshirë edhe kryeqytetin Kabul, po rritet. Afganistani ka një popullsi urbane në rritje, ata janë myslimanë, modestë dhe u pëlqen të argëtohen.

Qendra sporti për bowling janë të reja në Afganistan, ashtu si ideja që gratë të luajnë sport me burrat, madje edhe me vëllezërit e tyre, në publik.
Sarwar Sarwari thotë se sporte të reja hapin mundësi të reja.

“Mendoj se kjo përbën një hap drejt demokracisë. Gratë dhe burrat luajnë së bashku një ndeshje si kjo. Një gjë e tillë nuk ekzistonte në Afganistan kur unë isha fëmijë”.
Por Sarwari thotë se njerëzit nuk janë të sigurtë rreth së ardhmes.

“Nervozizmi ndjehet kudo, në qytete në radhët e qeverisë, mes njerëzve në përgjithësi, kur ata bisedojnë. Shpresoj që gjërat të përfundojnë në të mirën e vendit, sepse njerëzit kanë bërë të gjitha përpjekjet dhe kanë punuar shumë që kjo të bëhet realitet”.

Martesa ekstravagante tregojnë se në disa pjesë të Kabulit njerëzit kanë para dhe se këtu kanë investuar shumë biznese.
Por 6 flamujt kombëtarë të Afganistanit dhe 6 hymnet kombëtare në më pak se 40 vjet u kujtojnë njerëzve se si udhëheqës të ndryshëm u përpoqën t’i jepnin vendit drejtime të ndryshme.

Afganët kanë ndryshuar gjatë 11 vjetëve të fundit kur Talebanët u përmbysën nga pushteti. Ata janë më të arsimuar, më shumë njerëz jetojnë në qytete dhe gati gjysma e popullsisë kanë telefona celularë, megjithatë shumë prej tyre nuk janë të sigurtë rreth së ardhmes.

Analisti afgan Omar Sharifi thotë se dhuna nuk do të diktojë se kush do të administrojë vendin.
“Asnjeri nuk shikon mundësinë e përmbysjes së qeverisë apo marrjen e pushtetit me force si një formë legjitime. Njerëzit besojnë se zgjedhjet janë forma legjitime e vendosjes së autoritetit”.

Megjithë këto ndryshime politike, shumë gra në Kabul kanë frikë të flasin para kamerës. Privatisht, ato thonë se kanë frikë se mund të humbasin pak të drejta që kanë fituar gjatë dekadës së fundit.

Në këtë qendër bilardoje vetëm për meshkuj, pronarët shqetësohen rreth rritjes së dhunës si dhe rreth së ardhmes së qeverisë demokratike të Afganistanit.
Yar Gul Nader Safi është pesimist.

“E ardhmja siç e shikoj unë: gjatë 2 muajve të fundit ka pasur shumë sulme vetëvrasëse. Gjithashtu Talibanët sulmojnë në vende të ndryshme. Ne na duket se e ardhmja do të jetë e errët”.

Pas 40 vjet ndryshimesh politike dramatike, shumë afganë në Kabul shqetësohen se e ardhmja politike e vendit të tyre mund të jetë e ngjashme me të kaluarën e trazuar.



XS
SM
MD
LG