Lidhje

Afganistan: Vriten 11 civilë, 10 prej tyre fëmijë


Zyrtarë afganë thonë se një sulm ajror i forcave të koalicionit shkaktoi vrasjen e 11 civilëve, mes tyre edhe 10 fëmijë, në pjesën lindore të vendit gjatë një operacioni të përbashkët të forcave afgane dhe atyre të NATO-s kundër militantëve talebanë.

Zyrtarë qeveritarë në provincën Kunar thanë sot se sulmi ajror kishte vënë në shënjestër një shtëpi afër Pakistanit. Përveç civilëve, të paktën 6 militantë të dyshuar humbën jetën, përfshirë edhe dy komandantë të lartë taliban.

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara konfirmoi se forcat ndërkombëtare kërkuan sulmet ajrore pasi u sulmuan nga zjarri që erdhi nga kjo shtëpi të shtunën, megjithatë zyrtarët e NATO-s nuk kanë konfirmuar numrin e viktimave, duke thënë se hetimet vazhdojnë.

Këto sulme u kryen në të njëjtën ditë që një sulm me makinë bombë vrau 5 amerikanë, përfshirë edhe 3 ushtarë amerikanë, një punonjës civil të Departamentit të Mbrojtjes dhe një oficere të re në shërbimin e huaj. Nga sulmi në provincën jugore të Zabulit u vra edhe një mjek afgan. Ata po shkonin në një shkollë për t’u dhënë nxënësve libra.
XS
SM
MD
LG