Lidhje

Afganistan: Indinjatë në masë pas vrasjes së 16 civilëve

  • Zëri Amerikës

Talebanët janë zotuar të hakmerren për vrasjen e 16 civilëve për të cilën akuzohet një ushtar amerikan. Viktimat në radhët e civilëve kanë qenë vazhdimisht një pikë fërkimi mes Uashingtonit dhe Kabulit. Ambasada amerikane ka paralajmëruar shtetasit amerikanë në Afganistan të tregohen të kujdesshëm për sulme të mundshme hakmarrëse. Parlamenti afgan u shpreh sot se po i humbet durimi nga mungesa e mbikqyrjes mbi trupat e huaja. Ndërkaq, NATO dhe Shtetet e Bashkuara kanë reaguar, duke premtuar një hetim të hollësishëm dhe sjelljen para drejtësisë të autorit:

Gjenerali Carsten Jacobson, zëdhënës i koalicionit të NATO-s në Afganistan u zotua sot se drejtësia do të vihet në vend për 16 civilët e vrarë afganë, për të cilët akuzohet një ushtar amerikan.

“Këta civilë të pafajshëm që humbën jetën në incidentin tragjik dje, nuk mund të quhen ndryshe, përveçse viktima. E rëndësishme është se provat do na çojnë drejt një procedure të rregullt ligjore dhe drejtësia do të vihet në vend”.

Sulmi ka shkaktuar indinjatë të thellë kundër trupave amerikane, një muaj pas incidentit të djegies së Kuranit në një bazë amerikane. Shqetësimi kryesor është se talebanët mund të shkallëzojnë aktet terroriste kundër trupave të huaja, ndërkohë që acarimet mes Uashingtonit dhe Kabulit janë ndezur. Presidenti Hamid Karzai dënoi sulmin e djeshëm dhe tha se ndër të vrarët kishte nëntë fëmijë dhe tre gra. Ushtari është identifikuar si reshter i një njësie nga një bazë në shtetin Uashington. Ushtarët e tjerë të bazës e përcollën me tronditje njoftimin:

“Nuk mund ta imagjinoj se si dikush, kudo ne botë, ngrihet të vrasë 16 apo 18 civilë, mes tyre edhe fëmijë, sikur të ishte diçka normale. Aq më tepër kur përfaqëson Shtetet e Bashkuara dhe ushtrinë amerikane. Është krejtësisht e papranueshme”.

Presidenti Barak Obama i telefonoi udhëheqësit afgan për t’i shprehur tronditjen dhe keqardhjen e tij për këtë incident. Ai përcolli ngushëllimet e tij në adresë të popullit afgan.

Dëshmitarët në ngjarje përshkruan tmerrin që kishin ndjerë kur dëgjonin të shtënat, ndërkohë që ushtari i dyshuar për incidentin thuhet se shkonte shtëpi më shtëpi duke qëlluar pa dallim mbi këdo që gjente. Njëmbëdhjetë nga viktimat ishin nga e njëjta familje. Ndërkohë që nuk janë ngritur ende akuza zyrtare, thuhet që autori i krimit një ditë më pas dogji trupat e viktimave. Një akt i tillë është burim indinjate në vetvete, pasi djegia e trupit konsiderohet për myslimanët si përdhosje e kufomës. Nuk dihen ende motivet e këtij akti, por spekulime nga më të ndryshmet qarkullojnë në Afganistan:

“Kemi mësuar se ushtari ishte i pirë dhe kërkojmë nga qeveria që të kryejë hetime. Populli i Kandaharit është shumë i shqetësuar dhe i tronditur nga incidenti. Si ka mundësi që një njeri që s’është mysliman shkon në shtëpitë e myslimanëve dhe vret gra e fëmijë? Unë vetë ndjehem shumë i trishtuar. Jam gati të shkoj në anën e talebanëve të luftoj të huajt”.

Qarqet politike në Afganistan po kërkojnë tani zbardhjen e fakteve dhe transparencë në lidhje me procesin që do të ndiqet:

“E dënoj me forcë këtë krim. Ne kërkojmë që populli afgan dhe familjet e viktimave të sqarohen mbi incidentin. Çfarë ndodhi? Çfarë do të ndodhë me kriminelët? Çfarë ndëshkimi do të ketë për individin që kryen krime të tilla kundër njerëzve të pafajshëm”.

Ushtari i dyshuar për incidentin është dorëzuar vetë tek autoritetet dhe tani mbahet i ndaluar në një bazë të NATO-s në Afganistan.

XS
SM
MD
LG