Lidhje

OKB, thirrje për tranzicion të qetë në Afganistan


Diplomati më i lartë i Kombeve të Bashkuara në Afganistan tha dje se një tranzicion i qetë i pushtetit politik vitin e ardhshëm varet në masë të madhe nga zhvillimi i zgjedhjeve të planifikuara më së miri dhe të zhvilluara brenda afatit dhe me integritet.

Në një seance informimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, zoti Jan Kubis paralajmëroi se muajt e ardhshëm ka gjasa të shoqërohen me luftime të ashpra, ndërkohë që forcat afgane të sigurisë zhvillojnë operacione kundër elementëve anti-qeveritarë në të gjithë vendin dhe kryengritësit përgjigjen duke vënë në shenjestër personelin e sigurisë dhe civilët.

Ai vuri në dukje shtimin e sulmeve të bujshme dhe tha se më shumë se një mijë civilë, shumë prejt të cilëve fëmijë, janë vrarë që nga janari – afro 25 për qind më shumë se vjet në të njëjtën periudhë.

Afganistani po përgatitet për zgjedhjet prillin e ardhshëm, por zoti Kubis paralajmëroi se vonesat e vazhdueshme në miratimin e dy ligjeve të rëndësishme kanë zgjuar dyshime për synimet për zhvillimin e zgjedhjeve brenda afatit dhe me integritet.

"Nuk ka alternative që zëvendësojnë rëndësinë e zgjedhjeve gjithë-përfshirëse dhe transparente si mënyrë për realizimin e tranzicionit politik me një masë të nevojshme legjitimiteti dhe pranueshmërie. Zgjedhjet janë me rëndësi qendrore për legjitimitetin vendas dhe ndërkombëtar dhe mbështetjen e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar për qeverinë e re”.

Duke pasur parasysh hapjen e një zyre të re të Talibanit në Katar këtë javë si dhe problemet që çuan në anulimin nga ana e Afganistanit të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara për sigurinë, zoti Kubis tha se shpreson që së shpejti kjo të zgjidhej në mënyrë që të fillonin bisedimet e paqes mes Këshillit të Lartë Afgan për Paqen dhe Talibanit.

Ambasadori i Afganistanit Zahir Tanin kritikoi Talibanin për inaugurimin e zyrës së tij në një mënyrë që, siç u shpreh ai, bie ndesh me frymën e paqes. Ai tha se Afganistani ndërpreu bisedimet me Shtetet e Bashkuara pasi pret që aleatët “të angazhohen kundër çdo kërcënimi ndaj pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

I dërguari amerikan e bëri të qartë se zyra e Talibanit nuk duhet konsideruar dhe nuk përfaqëson një ambasadë ose zyrë tjetër në emër të Talibanit afgan si një emirat, qeveri apo sovranitet.

Në komentet drejtuar Pakistanit, Ambasadori Tanin paralajmëroi se terrorizmi vazhdon të paraqesë një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin në Afganistan:

"Për sa kohë që ekzistojnë baza terroriste në territor pakistanez dhe disa elementë vazhdojnë të përdorin terrorizmin si instrument në politikën e jashtme, paqja nuk do të triumfojë, as në Afganistan, as në rajon”.

I dërguari i Pakistanit i hodhi poshtë këto komente, duke thënë para Këshillit të Sigurimit se të gjithë institucionet shtetërore e shohin terrorizmin si kërcënim si për Pakistanin, ashtu edhe Afganistanin, dhe dy vendet po bashkëpunojnë për ta eliminuar kërcënimin.
XS
SM
MD
LG