Lidhje

Rrugëkalimi verior për në Afganistan


A

A

Pakistani ka rihapur kohët e fundit një linjë të rëndësishme të furnizimit të trupave të NATO-s në Afganistan, e njohur edhe si rruga jugore. Por, siç njofton dhe korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera, forcat e NATO-s përdorin gjithashtu edhe një rrugëkalim tjetër kryesor.

I ashtuquajturi rrugëkalimi verior është një rrjet shumë më kompleks linjash furnizimi se rruga jugore, e cila mbështetet vetëm në kamionët që kalojnë përmes Pakistanit dhe që sigurojë pajisje ushtarake për forcat e SHBA-së dhe NATO-s në Afganistan.
Alexander Cooley është ekspert i Azisë Qendrore në Universitetin Barnard të Nju Jorkut.

"Rrugëkalimi verior përbën një përzierje rrugësh ujore për anije, rrugë automobilistike, hekurudha dhe linja ajrore. Pra, nuk është vetëm një rrugë. Në të vërtetë është një seri linjash të ndryshme që nisin nga vendet e Balltikut, pastaj zbresin nëpërmjet hekurudhave – me binarë të vjetër sovjetikë – përmes Rusisë dhe Kazakistanit. Shumica e tyre kalojnë nëpërmjet Uzbekistanit dhe qytetit kufitar të Termezit."

Nga Termezi, kamionët e të kalojë mbi "Urën e Miqësisë" për në Afganistan.
Seth Jones, ekspert për Afganistanin i Korporatës RAND, thotë se pavarësisht nëse furnizimet kalojnë nëpërmjet hekurudhave, ajrit apo kamionave, NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara duhet të nënshkruajnë marrëveshje me secilin vend të përfshirë.

"Për çdo material që kalon përmes vendeve të ndryshme, qofshin këto shtetet e Azisë Qendrore apo Rusia, duhet të ketë marrëveshje të detajuara mbi përfitimet që do të kenë qeveritë dhe kompanitë që eksportojnë apo importojnë mallrat. Pra, ka shumë detaje për të cilat duhet rënë dakord, si nga ana e vendit pritës dhe nga kompanitë private që janë të përfshira në lëvizjen e mallrave."

Ekspertët thonë se shifrat e sakta dhe tarifat e paguara për kalimin në secilin vend janë informacione sekrete. Por duke marrë parasysh se sa i ndërlikuar është rrugëkalimi verior, ekspertët përllogarisin se transportimi i furnizimeve nëpërmjet atij rrjeti kushton rreth dy herë më shumë se sa përmes rrugës jugore.

Megjithatë, për shtatë muajt e fundit, rruga veriore ishte e vetmja mënyrë për të transportuar furnizimet në Afganistan. Pakistani mbylli rrugëkalimin jugor pas një sulmi ajror të koalicionit i udhëhequr nga SHBA-ja, gjatë muajit nëntor, ku u vranë aksidentalisht 24 ushtarë pakistanezë, në afërsi të kufirit Afganistan-Pakistan. Islamabadi e ri-hapi rrugën së fundmi, pasi Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha se Shteteve të Bashkuara “U vjen keq për humbjet e pësuara nga ushtria pakistaneze."

Analistët thonë se si rruga jugore dhe ajo veriore do të përdoren gjithashtu për të zhvendosur ushtarë dhe pajisje jashtë Afganistanit, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të NATO-s pakësojnë praninë e tyre ushtarake në vend.
Alexander Cooley thotë se operacioni i ashtuquajtur "kalimi në kah të kundërt" do të jetë një tjetër burim të ardhurash për vendet e përfshira.

"Ka një perceptim që tërheqja do të jetë një mundësi unike, që ato vende mund të shfytëzojnë duke bërë kërkesa për rritje të pagesave, në një kohë që NATO-ja dhe SHBA-ja do të duan vetëm të nxjerrin gjërat jashtë Afganistanit dhe do të pranojnë ato kërkesa."

Shumë organizata të të drejtave të njeriut ngrejnë pyetjen nëse Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja duhet të mbështeten në vende autoritare për marrjen e furnizimeve dhe për largimin e ushtarëve nga Afganistani. Zoti Cooley thotë se është e vështirë të arrihet një ekuilibër mes nevojave afatshkurtra ushtarake dhe aspiratave demokratike afatgjata.

"Gjatë 10 viteve të fundit, Uashingtoni dhe Brukseli kanë pakësuar kritikat për çështjet e të drejtave dhe gjithashtu kanë ulur angazhimin në fusha të tjera, duke u përqëndruar kryesisht tek siguria dhe bashkëpunimi logjistik. Në njëfarë mënyre, Azia Qendrore është shndërruar në një shtesë të luftës në Afganistan. Komuniteti i mbrojtësve të drejtave të njeriut dhe demokracisë do të dëshironin pak më shumë ndershmëri nga politikat e Uashingtonit dhe e shohin çfarë ka ndodhur në Azinë Qendrore, si një viktimë politike të luftës afgane."

Seth Jones i Korporatës RAND thotë se nuk është arritur asnjë sukses i rëndësishëm, dhe se nuk duket të ketë shumë shpresa, për përmirësime të mëdha të demokracive në Azinë Qendrore.
XS
SM
MD
LG