Lidhje

Afganistan: Viktima mes protesuesve kundër NATO-s

  • Zëri Amerikës

Afganistan: Viktima mes protesuesve kundër NATO-s

Afganistan: Viktima mes protesuesve kundër NATO-s

Të paktën katër persona u vranë kur policia hapi zjarr mbi qindra protestues të zemëruar gjatë ditës së dytë të demonstratave kundër trupave të Natos, që kishin asgjesuar kopje të Kuranit.

Zyrtarët afganë thanë se dhjetra persona u plagosën gjatë incidenteve që ndodhën në Kabul, provincen Parvan dhe Jalalabad.

Turmat në kryeqytet thërrisnin "Vdekje Amerikës", ndërsa hidhnin gurë mbi ushtarët, u vunë zjarrin makinave dhe ndërtesave dhe bllokuan rrugët kryesore.

Ambasada amerikane në Kabul tha se personeli është i detyruar të mos lëvizë nga godina.

Komandanti i koalicionit ndërkombëtar, gjenerali amerikane John Allen, kërkoi falje dje dhe urdhëroi një hetim mbi njoftimet se forcat e koalicionit kanë asgjesuar një numër të madh tekstesh fetare islamike, përfshi Kuranin.

Rethanat e këtij incidenti janë të paqarta. Njoftime të pakonfirmuara sugjerojnë se trupat e Natos të stacionuara në Bazën Ajrore të Bagramit u përpoqën të eleminonin disa libra të Kuranit duke iu vënë zjarrin, por u ndaluan nga punonjësit afganë.

Protestat e afganëve kundër shkatërrimit të librit të shenjtë mysliman janë kthyer në vdekjeprurëse gjatë viteve të fundit. Në prill të vitit 2011, rreth 20 veta u vranë gjatë disa ditë protestash në mbarë Afganistanin pasi një pastor në Shtetet e Bashkuara dogji një Kuran në kishën e tij të vogël në Florida.

XS
SM
MD
LG