Lidhje

Shqetësim për manipulime në zgjedhjet afgane


Miliona afganë po nxiten të dalin për të hedhur votën nesër në zgjedhjet presidenciale, pavarësisht nga kërcënimet e Talibanit. Shqetësimi më i madh është se zgjedhjet do të manipulohen dhe se kandidatët që humbasin nuk do ta njohin rezultatin.

Të shtunën votuesit do të zgjedhin presidentin e ardhshëm të Afganistanit. Tre kandidatët kryesorë janë Ashraf Ghani, ish-zyrtar i Bankës Botërore; Abdullah Abdullah, ish-ministër i jashtëm dhe Zalmai Rasul, po ashtu ish-ministër.

Zyrtarët e zgjedhjeve shpresojnë se rreth 12 milionë votues do të dalin për të hedhur votat, megjithë kërcënimet e Talibanit. Mullah Mohamad Aman shqetësohet se do të ketë manipulim votash:

"Kushdo që fiton në zgjedhje të pastra, do ta pranojmë. Shqetësohemi se do të ketë manipulime dhe se zgjedhjet do të kalojnë në raund të dytë. Në atë rast, ky vend që ka vuajtur kaq, shumë do të vuajë dhunë të re. U bëjmë thirrje të gjithë kandidatëve të respektojnë votën e popullit”.

Rreth 10 mijë vëzhgues lokalë do të mbikqyrin votimet e së shtunës. Megjithatë, Fred Kagan i Institutit Amerikan në Uashington parashikon se do të ketë një masë korrupsioni, nuk do të dalë një fitues i qartë dhe do të nevojitet një raund i dytë:

"Mendoj se do të ketë shumë përplasje, por ajo që ka rëndësi është nëse në fund të procesit të gjithë e pranojnë rezultatin”.

Rezultati përfundimtar pritet të dalë më 14 maj. Por kandidatët dhe përkrahësit e tyre kanë filluar që tani të thonë se nuk do t’i njohin rezultatet nëse ka dyshime për manipulim.

Analistët i tremben ndikimit korruptiv që mund të ketë sistemi i fortë i kontrollit që zbaton Presidenti Hamid Karzai.

Jandad Spinghar i Fondacionit për Zgjedhje të Lira dhe të Drejta në Afganistan (FEFA) thotë se ka rëndësi thelbësore që kandidatët që humbasin të pranojnë rezultatin:

"Nga pikëpamja politike, komuniteti ndërkombëtar dhe shoqëria civile në Afganistan duhet të luajnë rol për t’i bindur kandidatët që të arrijnë një marrëveshje mbi një parim të përgjithshëm për njohjen e rezultatit përfundimtar”.

Këto zgjedhje konsiderohen si jetike për stabilitetin dhe të ardhmen politike e ekonomike të Afganistanit. Të vetëdijshëm për rëndësinë e procesit, zyrtarët e zgjedhjeve kanë mbyllur rreth 750 qendra votimi si rezultat i shqetësimeve për sigurinë. Rreth 300 mijë policë e ushtarë janë dislokuar për të parandaluar dhunën.
XS
SM
MD
LG