Lidhje

Afganët sfidojnë Talebanin për të votuar


Afganët votuan dje për të zgjedhur presidentin e ardhshëm mes dy kandidatëve në balotazh: ish-zyrtarit të Bankës Botërore, Ashraf Ghani dhe ish-ministrit të jashtëm Abdullah Abdullah. Megjithë dhunën në vend, votuesit në Kabul u dyndën për të hedhur votën:

Dje ishte hera e dytë brenda dy muajsh që miliona afganë sfidojnë kërcënimet talebane për të hedhur votën për presidentin e ri.

Kur qendrat e votimit u mbyllën, votuesit vazhdonin të tregonin me krenari gishtin e ngjyer me bojë si dëshmi e faktit që kishin votuar.

Një vajzë e re që votoi për herë të parë, Sheikayba Alokozy, tha se shpërthimet që tronditën Kabulin në mëngjes nuk mjaftuan për të ndalur zgjedhjet:

“Duam paqe në Afganistan; duam një ndryshim të plotë në vend. Nuk kemi frikë nga askush, nuk ka rëndësi sa sulme ndërmarrin, ne do të hedhim votën”.

Ministri i Brendshëm i Afganistanit dhe se 46 civilë e punonjës të forcave të sigurisë dhe 60 kryengritës u vranë në vend. Por dhuna nuk arriti të pengojë procesin. Në përfundim të votimit, zyrtarët përgëzuan afganët për një tjetër proces të suksesshëm.

Asnjë nga kandidatët në raundin e parë të 5 prillit nuk arriti 50% të votave, duke bërë të domosdoshëm balotazhin e djeshëm mes dy kandidatëve më të fortë: Ashraf Ghani dhe Abdullah Abdullah.

Shefi i Komisionit të Pavarur Zgjedhor Ahmad Yusuf Nuristani tha se pjesëmarrja dje ishte e fortë dhe u afrohej shifrave të prillit:

“Numri i përllogaritur i pjesëmarrësve në balotazh ishte mbi 7 milionë, nga të cilët 38% ishin gra dhe 62% burra”.

Zoti Nuristani pohoi se në disa raste, forcat e sigurisë nuk arritën të qëndrojnë asnjanëse në proces.

Ambasadori amerikan në Afganistan James Cunningham, përmes një deklarate vlerësoi votuesit dhe forcat e sigurisë në Afganistan.

Zoti Cunningham dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen u bënë thirrje komisioneve zgjedhore në vend të analizojnë parregullsitë si dhe nxitën kandidatët të respektojnë rezultatet.

Pas një seri shpërthimesh herët në mëngjes në Kabul, votuesit filluan të dynden drejt qendrave të votimit në kryeqytet. Jashtë qendrës, rrugët ishin të zbrasta, përveç forcave policore që patrullonin në këmbë ose me makina.

Për shumë afganë, si Haji Gholam Gilani, këto zgjedhje ishin një shans historik për të përgatitur rrugën drejt të ardhmes së vendit.

“Këto zgjedhje ishin të rëndësishme jo vetëm për mua, por edhe për të ardhmen e fëmijëve të mi. Këto votime do të vendosin të ardhmen e vendit për pesë vjetët e ardhshëm prandaj po votoj”.

Komisioni i Pavarur Zgjedhor dhe Komisioni i Ankesave kanë thenë se do të analizojnë njoftimet për parregullsi në votime. Zyrtarët kanë thënë se ka rëndësi vendimtare që votimet të gëzojnë kredibilitet, në mënyrë që rezultatet të pranohen nga populli afgan.

Rezultatet përfundimtare pritet të dalin më 22 korrik. Ai që del fitues do të pasojë Presidentin Hamid Karzai dhe do të udhëheqë Afganistanin për pesë vjetët e ardhshëm.
XS
SM
MD
LG