Lidhje

Karzai kërkon zgjatje të pranisë amerikane

  • Luis Ramires

Presidenti afgan Hamid Karzai ka qënë në Uashington këtë javë për të diskutuar të ardhmen e vendit të tij kur forcat e NATO-s të dorëzojnë përgjegjësitë e sigurisë tek forcat afgane deri në fund të vitit 2014. Ende nuk është vendosur se sa forca amerikane do të mbeten në vend. Ndërkohë ka një pasiguri të madhe ndërsa udhëheqësit amerikanë përgatisin përfundimin e një prej luftrave më të gjata dhe me kosto më të lartë në historinë amerikane.

Pentagoni ishte një vizitë e rëndësishme për Presidentin Hamid Karzai për të disktuar masat e sigurisë pasi trupat amerikane të luftës të largohen nga Afganistani.

Në krah të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Leon Panetta, zoti Karzai i falenderoi amerikanët dhe aleatët për sakrificat e tyre:

“Ju siguroj zoti Sekretar se Afganistani do të jetë në gjendje me ndihmën tuaj të vendosë sigurinë për popullin e vet dhe të mbrojë kufijtë e vet në mënyrë që Afganistani të mos kërcënohet kurrë më nga terroristët jashtë kufijve tanë”.

Shtetet e Bashkuara ndërmorrën luftën në Afganistan si kundërpërgjigje ndaj terroristëve të al-Kaidës përgjegjës për sulmet e 11 shtatorit.

Por lufta po vazhdon që prej 11 vjetësh dhe në kulmin e saj ka pasur të angazhuar 100 mijë trupa amerikane. Anketat tregojnë se shumica e amerikanëve duan që lufta të mbyllet shpejt.

Udhëheqësit amerikanë thonë se kanë shënuar përparim në parandalimin e kryengritësve për të rifituar territor dhe për të stërvitur forcat afgane.

Por dhuna vazhdon, kryengritësit ende kanë nën kontroll një pjesë të territorit dhe ka pikëpyetje për aftësinë e forcave amerikane për të ruajtur sigurinë e vendit të tyre.

Dyshime ka gjithashtu edhe për të ardhmen politike të Afganistanit. Zgjedhjet për pasuesin e zotit Karzai pritet të mbahen në vitin 2014, para se forcat ndërkombëtare t’ia transferojnë operacionet e luftimit forcave afgane.

Ish-ambasadori amerikan në Afganistan James Dobbins mendon se tranzicioni politik do të jetë i rrezikshëm.

Nuk mendoj se ushtria afgane do të shpërbëhet në vitin 2014 por është e mundur që qeveria afgane të dështojë në vitin 2014 si pasojë e një tranzicioni të pasuksesshëm”.

66 mijë trupa amerikane ndodhen ende në vend. Komandantët amerikanë duan që 20 mijë prej tyre të vazhdojnë të rrinë për të mbështetur forcat afgane pas vitit 2014.

Dje Sekretari Panetta nuk foli për kërkesën e zotit Karzai për numrin e trupave.

“Nuk dua të paragjykoj se çfarë do të deklarojnë Presidentët Karzai dhe Obama përsa i takon diskutimeve por mund t’ju them që mbeta i kënaqur. Ai shfaqi një vullnet për të bërë atë që ne mendojmë se është e nevojshme”.

Por zoti Panetta do të largohet së shpejti nga detyra. Chuck Hagel, që pritet ta zëvendësojë, e ka kritikuar angazhimin amerikan në Afganistan dhe mund të kërkojë një tërheqje më të shpejtë.

Shtëpia e Bardhë e ka bërë të qartë se synimi i Presidentit Obama nuk është që të ruajë një numër të caktuar trupash në Afganistan por të mos lejojë një vend të sigurt për al-Kaidën dhe të stërvisë forcat afgane. Zyrtarët kanë lënë të kuptohet se një nga alternativat është që të deri në vitin 2014 të jenë tërhequr të gjitha trupat.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG