Lidhje

Afganistan: Përtej marrëveshjes për qeverisjen


Marrëveshja e re për ndarjen e pushtetit ndërmjet presidentit të zgjedhur në Afganistan, Ashraf Gani, dhe rivalit të tij kryesor Abdullah Abdullah ka shtruar rrugën për një transferim paqësor të pushtetit. Por, ajo ka krijuar dhe hapësirën për luftë për pushtet në një kohë kur uniteti dhe veprimet e vendosura janë të nevojshme.

Një përqafim ndërmjet dy konkurentëve presidencialë në Afganistan sinjalizoi fundin e një krize të zgjatur politike. Por, skeptikët druhen se kjo ka krijuar dy qarqe politike në Afganistan, të cilat mund të çojnë drejt konfliktit në të ardhmen.

Presidentit të zgjedhur Ashraf Ghani do t’i duhet të ndajë autoritetin e tij në disa fusha me kreun e ri të ekzekutivit, i cili do të emërohet nga ish rivali i tij Abdullah Abdullah. Ndarja e autoritetit në politikë nuk është kurrë e lehtë, qoftë edhe në kushtet më optimale.

Scott Smith i Institutit për Paqe të Shteteve të Bashkuara mendon se prova e vërtetë për marrëveshjen do të vijë në rastin më të parë kur dy palët do të kenë një mosmarrëveshje të rëndësishme.

“Me këto lloj marrëveshjesh, lind gjithnjë pyetja se ç’do të ndodhë në praktikë, dhe se si do të gjejnë zgjidhje praktike për çështje të ndryshme, për të cilat nuk u ka shkuar mendja gjatë negocimit, pasi politika është shumë e komplikuar.”

Ndërkohë, vendi po përballet me vështirësi ekonomike, me një përkeqësim të situatës së sigurisë dhe një moral në rënie.

Omar Samad ka qenë ambasador dhe zëdhënës për ministrinë e jashtme të Afghanistanit. Ai thotë se pikërisht këto probleme do të përcaktojnë të ardhmen.

“Këta dy individë, dhe populli afgan, e kuptojnë që vendi ka pak mundësi të mbetura, dhe pak alternativa.”

Zoti Samad gjithashtu thotë se ekipet e zotit Ghani dhe zotit Abdullah kanë bashkëpunuar për muaj të tërë për të arritur këtë marrëveshje. Marrëdhënia e krijuar mund të ndihmojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të ardhshme.

Një front i bashkuar i elitës politike afgane do të jetë i nevojshëm nëse vendit do t’i duhet të negociojë një zgjidhje të ardhshme politike me talebanët.

Talebanët e shfrytëzuan pasigurinë dhe dasitë në Kabul, për të filluar një prej fushatave më të mëdha të sulmit që nga periudha e fillimit të luftës. Forcat e sigurisë afgane kanë pësuar humbje të rënda. Por, në fund të fundit, thotë zoti Samad, talebanët nuk fituan.

“Bie në sy që nuk patën sukses në përpjekjet e tyre për të marrë territor të ri nën kontroll, ose për të larguar qeverinë.”

Sidoqoftë, Afganistanit do t’i nevojitet ndihmë e vazhdueshme nga Uashingtoni për të zmbrapsur ushtrinë talebane. Kjo është arsyeja pse zoti Smith mendon se Shtetet e Bashkuara duhet të rivlerësojnë vendimin për tërheqjen e njësive mbështetëse ushtarake deri në vitin 2016.

“Mendoj se kjo do t’u japë një masë vetëbesimi forcave afgane të sigurisë. Dhe ndoshta mund të vazhdohet me një kundërpërgjigje për të zhbërë sukseset e talebanëve.”

Pasiguria politike e muajve të fundit ka shkaktuar dhe një tkurrje të ekonomisë afgane. Vendet donatore kanë pezulluar fondet që jepnin me qëllimin për të parë njëherë se si do të funksionojë tranzicioni. Ato do të vëzhgojnë nga afër se si do të bashkëpunojnë palët.

Në fund të fundit, shanset janë që asnjë nga palët nuk do të jetë plotësisht e kënaqur. Por, të dyja palët mund edhe të humbasin shumë. Afganët dhe komuniteti ndërkombëtar shpresojnë se kjo lloj frike mund t’i shtyjë të dyja palët të punojnë së bashku.

XS
SM
MD
LG