Lidhje

Talibanët lirojnë qindra të burgosur


Kryengritësit talibanë sulmuan burgun në krahinën Ghazni duke vrarë shtatë roja dhe duke liruar mbi 350 të burgosur

Kryengritësit talibanë, thyen një burg në Afganistanin Lindor duke liruar qindra të burgosur.

Sulmi i organizuar mirë, filloi me një sulm vetëvrasës me makinë-bombë, që u mundësoi kryengritësve të hyjnë në burg, tha Mohammad Ali Ahmadi, zëvendës guvernator i krahinës lindore Ghazni.

Zyrtarët afganë thanë se në kompleks ishin gjithsej 436 të burgosur, nga të cilët 355 ikën gjatë sulmit. Qeveria tha se 148 nga të ikurit paraqesin “kërcënim për sigurinë kombëtare”.

Në një deklaratë të ministrisë së brendshme në Kabul, thuhet se shtatë roja u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën. Në deklaratë thuhet po ashtu se janë vrarë pesë kryengritës.

Në një deklaratë dërguar mediave me postë elektronike, zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se burgu mbahej nga agjencia afgane e zbulimit dhe sipas tij, të burgosurit, përfshirë luftëtarët taliban, po keqtrajtoheshin mizorisht. Në një deklaratë tjetër, talibanët thanë se në mesin e të liruarve nga burgu në Ghazni, ndodhen komandantë të lartë dhe luftëtarë të këtij grupi.

Mujahid tha se një grup prej 10 kamikazëve u dërguan për të liruar të burgosurit dhe tre prej tyre humbën jetën në sulmin që u krye para agimit. Ai tha se rreth 400 veta janë liruar.

Talibanët kanë ndërmarrë edhe në të kaluarën veprime për thyerje burgjesh në Afganistan. Në prill të vitit 2011, grupi kreu një sulm në krahinën jugore të Kandaharit për të liruar 500 luftëtarë nga Sarposa, burgu më i madh në vend. Talibanët për disa muaj hapën një tunel të gjatë gati një kilometër dhe rreth një metër të gjerë për në burgun Sarposa, duke e pajisur tunelin me energji elektrike dhe tuba ajrimi nga një shtëpi aty pranë.

Në një sulm më të mëhershëm në të njëjtin burg, një grup i luftëtarëve taliban i armatosur me pushke automatike dhe mortaja dore, arriti të lirojë rreth 1 mijë e 200 të burgosur në qershor të vitit 2008.

XS
SM
MD
LG