Lidhje

Marrëdhëniet Afganistan-Pakistan

  • Ayaz Gul

Vizita e parë e Presidentit afgan Ashraf Ghani në Pakistanin fqinj ka krijuar një nivel të pazakontë optimizmi në të dyja anët e kufirit dhe disa analistë janë duke e cilësuar atë si fillimin e një epoke të re në marrëdhëniet shpesh të acaruara dypalëshe.

Presidenti Ghani kishte takime të shumta gjatë qëndrimit të tij dy-ditor në Pakistan, ku ai pati diskutime të hollësishme me kryeministrin Nawaz Sharif dhe udhëheqës të tjerë politikë. Por pika më e lartë e angazhimeve të tij ishte një vizitë në selinë e ushtrisë së fuqishme të Pakistanit që shumë afganë e akuzojnë për nxitjen e konfliktit në vendin e tyre.

Ish ambasadorja pakistaneze në Shtetet e Bashkuara, Sherry Rehman, ishte në mesin e politikanëve të Pakistanit të cilët u takuan me zotin Ghani gjatë vizitës së tij në vend. Duke folur për Zërin e Amerikës, ajo tha se udhëheqësi afgan dukej i vendosur t'i jepte fund tensioneve në marrëdhëniet dypalëshe:

"Kjo ishte një përpjekje e qartë nga udhëheqja e re afgane për një angazhim pozitiv, të dobishëm dhe gjithpërfshirës në një axhendë largpamëse duke kuptuar qartë problemet që marrëdhëniet dypalëshe kanë përjetuar në të kaluarën. Pra, unë mendoj se ideja e lënies së këtyre probleme pas dhe potenciali ynë në fushën e tregtisë, integrimin e popujve dhe shndërrimi në një qendër të shpërndarjes së energjisë në Azinë Jugore mund të realizohet vetëm nëse ne jemi në gjendje të zgjidhim problemet tona në luftën kundër-terrorizmit dhe problemet strategjike. Dhe unë shoh vullnetin politik nga të dyja palët për të kapërcyer këto probleme".

Duke folur për Zërin e Amerikës me telefon nga Kabuli, politikani afgan dhe një ndihmës i afërt i presidentit Ghani, Profesori Faruk Azam, gjithashtu ishte optimist se vizita do të ndihmoj në ndërtimin e besimit reciprok:

"Unë mendoj se ky është fillimi i një epoke të re dhe presidenti Ghani, si njeri i zhvillimit, i begatisë ekonomike dhe me vizion, ka vënë përpara një tezë të re që në vend të konfrontimit duhet të zgjedhim bashkëpunimin dhe duhet të gjejmë mënyra se si të përmirësojmë kushtet e njerëzve në të dyja vendet".

Profesori Azam shprehu optimizëm të matur në lidhje me vizitën e Presidentit Ghani në selinë ushtarake të Pakistanit në Rawalpinidi dhe bisedimet me shefin e përgjithshëm të ushtrisë Raheel Sharif:

"Ky është një gjest i rëndësishëm nga ana e Pakistanit, Pakistani i tregoi presidentit Ghani se komanda ushtarake është e hapur për atë, dhe Ghani ndoshta ka menduar se në Pakistan ushtria është ajo që vendos për çështje të rëndësishme e jo qeveria civile. Pra, unë mendoj se ky është një gjest i mirë dhe mund çoj gjërat përpara. Por mbetet të shihet nëse kjo do të mund të zbatohet".

Ambasadorja Rehman nuk u pajtua me kritikat se ushtria Pakistanit dikton politikën afgane në vend të pushtetit civil të vendit. Ajo thotë se bashkëveprimet e drejtpërdrejta mes institucioneve relevante në të dy anët e kufirit do të ndihmojë në uljen e tensioneve, sepse sfidat kundër-terrorizmit në marrëdhëniet dypalëshe kryesisht burojnë nga dallimet mbi politikat kundër terrorizmit:

"Unë mendoj se kjo është një masë pozitive dhe të gjitha përpjekjet e diplomacisë shtrënguese nëpërmjet mediave nga të gjitha palët duhet të ndalen. Mesazhet publike nuk janë mënyra më e mirë për të bërë diplomaci. Mesazhet duhet të shkëmbehen mes njëri-tjetrit në qoftë se duam të zgjidhim një problem. Unë mendoj se kjo është rruga përpara dhe Afganistani dhe presidenti Ghani kanë sinjalizuar interesin e tyre për të ndërmarrë ato lloje të iniciativave pozitive. Pra, unë do të shikoja drejt së ardhmes dhe ndërtimin mbi përparimet që janë bërë deri me tani”.

Ish presidenti Hamid Karzai shpesh akuzonte ushtrinë e Pakistanit se po lejonte kryengritësit afganë të drejtonin kryengritjen talibane në Afganistan dhe këmbëngulte se Islamabadi mund të ndikonte mbi grupin islamik për të marrë pjesë në bisedimet me qeverinë afgane.

Ndërsa kritikët nuk janë të sigurtë nëse Pakistani mund të bindë talebanët të bëhen pjesë e përpjekjeve afgane për pajtim politik, Profesori Azam i bëri thirrje udhëheqjes së re afgane në Kabul që të hartojë urgjentisht planet e veta të paqes përpara se të kërkojë ndihmë nga jashtë.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu besojnë se pavarësisht sfidave të mëdha, Pakistani dhe Afganistani nën presidentin Ghani duken të vendosur për një fillim të ri në marrëdhëniet e tyre dypalëshe. Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për këto dy vende, Dan Feldman, shprehu këtë pikëpamje, në një intervistë për Zërin e Amerikës në prag të udhëtimit të zotit Ghani në Islamabad:

"Ky është bashkërendimi më i madh që kam parë në drejtim të fillimit të këtij kapitulli të ri në marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve. Unë mendoj se ka shumë fusha ku mund të ketë përparim si çështjet ndërkufitare ushtarake, çështjet kundër terrorizmit. Ka fusha nga të cilat mund të përfitojnë shumë popujtë e Pakistanit dhe Afganistanit në qoftë se të dy vendet vendosin një bashkëpunim më të mirë, dhe ka tregues që kjo është e mundur duke patur parasysh angazhimin dhe dëshirën e udhëheqjes pakistaneze dhe asaj afgane".

Analistët shpresojnë se vizita e presidentit Ghani në Islamabad do të çojë në rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë mes dy vendeve dhe menaxhim më të mirë të kufirit të tyre të gjatë dhe poroz për të parandaluar militantët që kërkojnë strehë të sigurtë dhe që nxisin militantizmin në të dy vendet.

XS
SM
MD
LG