Lidhje

Afganistan, vritet gazetari amerikan dhe përkthyesi


Një gazetar amerikan dhe përkthyesi i tij afgan u vranë dje në Afganistan, pasi u sulmua njësia e ushtrisë afgane me të cilën po udhëtonin në provincën jugore Helmand.

Rrjeti amerikan Radioja Publike Kombëtare (NPR) i identifikoi të vdekurit si gazetarin fotograf David Gilkey dhe përkthyesin Zabihullah Tammana. Dy gazetarë të tjerë që udhëtonin me autokolonën njoftohet se nuk janë lënduar.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, u shpreh me një deklaratë nga Pekini se “ky sulm është një kujtesë e zymtë e rreziqeve me të cilat vazhdon të përballet populli afgan... si dhe e kurajos së gazetarëve të patrembur.”

Gazetari 50-vjeçar Gilkey pati fituar disa çmime dhe ishte ndër gazetarët e parë që hynë të pashoqëruar në Afganistan pas sulme të 11 shtatorit 2001 në SHBA.

Ai pati mbuluar gjithashtu konfliktin e periudhës 2008-2009 ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës, si dhe pasojat e tërmetit shkatërrues që goditi Haitin në vitin 2010.

Sipas Komitetit amerikan për Mbrojtjen e Gazetarëve, “Afganistani mbetet një vend i rrezikshëm për gazetarët vendas dhe të huaj që mbulojnë konfliktin e zgjatur”.

Sipas këtij komiteti, deri më tani ishin vrarë në Afganistan 24 gazetarë që kur Shtetet e Bashkuara filluan kundërpërgjigjen ndaj al-Kaidës në tetor të vitit 2001.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG