Lidhje

E ardhmja e Afganistanit


Pas më tepër se një dekade me luftime, afganët kanë përpara një tjetër vit të vështirë. Më 2014-ën ata do të përballen me tërheqjen e plotë të forcave ndërkombëtare, pakësimin e ndihmës financiare, me një ekonomi të dobët, vazhdimin e kryengritjes dhe zgjedhjet presidenciale.

Zgjedhjet e prillit të vitit 2014 do të çojnë në zgjedhjen e qeverisë së parë që pas rrëzimit nga pushteti të talebanëve nga Shtetet e Bashkuara dhe pa patur në krye udhëheqësin afgan Hamid Karzai.

Karzai është transformuar nga një aleat i Shteteve të Bashkuara, në një udhëheqës të paparashikueshëm, i cili u krijon shqetësime si partnerëve të huaj, edhe atyre brenda vendit. Por megjithë manovrimet politike, zoti Karzai është bërë simbol i vazhdimësisë në Afganistan. …Dhe brezi i ri që rritet në qytete me gjallëri si Kabuli, ka shpersa për një të ardhme më të mirë.

Por rivalitetet e ashpra për pushtet dhe mos-sundimi i ligjit në vend, do të thotë se nuk ka gjasa që zgjedhjet e vitit të ardhshëm të jenë të lira dhe të drejta, thotë analistja Kate Clark.

“Ideale është që të vijë në pushtet një person që gëzon konsensusin e popullit. Por kjo më duket e vështirë. Mashtrimet janë kaq të mëdha, sa që askush nuk do të mund të jetë i lumtur, prandaj dhe çështja shtrohet se sa rrëmujë do të ketë.”

Po ashtu, në pikëpyetje është edhe çështja se çfarë do të ndodhë me forcat amerikane në Afganistan. Në fillim të dhjetorit, zoti Karzai refuzoi të nënshkruante një marrëveshje dypalëshe për sigurinë, sipas së cilës, në Afganistan do të vazhdonte të qëndronte një kontingjent i forcave amerikane për të stërvitur, ndihmuar dhe pajisur forcat afgane.

Zoti Karzai tregoi mospërfillje ndaj kryetarëve të fiseve afgane, që e miratuan marrëveshjen e sigurisë, duke thënë se ajo duhet nënshkruar pas zgjedhjeve dhe kur në vend të jetë vendour paqja dhe stabiliteti.

Por edhe një marrëveshje me militantët talabanë, të cilët po ashtu e hodhën poshtë paktin e sigurisë, nuk duket të jetë e realizueshme.

Ish-anëtari i forcave talebane dhe tani anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Abdul Hakim Mujahid, thotë se pa arritur një marrëveshje me militantët, vendi rrezikon të bëjë hapa prapa.

“Në se nuk arrijmë marrëveshje politike, shkojmë përsëri në zgjedhje të përgjithshme dhe në pushtet vjen një president, i cili nuk është zgjedhur përmes një marrëveshjeje politike, fakeqësisht do të shkonim të paktën 5 vjet prapa në fushën e paqes dhe kjo gjendje do të vazhdonte edhe për më tepër se 5 vjet të tjerë; kështu, kriza në vend do të vazhdojë edhe mbi vjet të tjerë.”

Forcat afgane të sigurisë, përherë e më tepër po marrin rol udhëheqës në mbarë vendin, por fërkimet dhe numri i viktimave është i lartë. Në një raport të Pentagonit në korrik të këtij viti thuhej se në mars numri i viktimave në radhët e forcave afgane arriti në më tepër se 300 vetë në muaj. Kjo ndodhi në fillim të stinës tradicionale të luftimeve të talebanëve.

Ish-ministri Hamidullah Farooqi thotë se forcat kombëtare do të kenë nevojë për ndihmë të konsiderueshme përtej vitit 2014.

“Jemi pak prapa në këtë çështje, kjo është arsyeja përse nuk e dimë në se forcat afgane të sigurisë do të jenë të afta ta mbrojnë vendin pa ndihmë; dhe ekonomia jonë, burimet tona kombëtare nuk janë të mjaftueshme për nevojat tona të sigurisë.”

Durimi ndërkombëtar për zotin Karzai po zbehet. Në se Washingtoni i tërheq të gjitha forcat, si dhe ndihmën shoqëruese prej 8 miliardë dollarësh, analistët paralajmërojnë se Afganistanin e presin kohë edhe më të vështira.





XS
SM
MD
LG