Lidhje

Afrika e Jugut përgatitet për kampionatin e futbollit

  • Skot Bob
  • Afrika Jugut

Afrika e Jugut përgatitet për kampionatin e futbollit

Afrika e Jugut përgatitet për kampionatin e futbollit

Me afrimin e Botërorit të Futbollit në Afrikën e Jugut, punonjësit e mirëmbajtjes po i bëjnë përmirësimet fundit 10 stadiumeve ku do të zhvillohen ndeshjet. Ndërtimi i stadiumeve ka përfunduar dhe ato i janë dorëzuar organizatorëve të turneut.

Jugafrikanët janë të emocionuar për mbajtjen e Botërorit të Futbollit për herë të parë në Afrikë dhe janë veçanërisht krenarë për stadiumet reja ku do të zhvillohen 64 ndeshje.

Qeveria ka shpenzuar rreth 2 miliardë dollarë për ndërtimin e 5 stadiumeve të reja, si ky në qytetin Durban. Nkosianthi Wellington erdhi për të parë ekipin kombëtar të Afrikës së Jugut gjatë një ndeshjeje miqësore me Zimbabven, kur u inaugurua në fillim të vitit stadiumi me 70 mijë vende.

“Stadiumi është ideal për ndeshjet e botërorit”, - thotë një tifoz.

Këtu do të zhvillohen 7 ndeshje të botërorit. Harku i tij, që arrin deri në 106 metra lart në qiell, të kujton flamurin kombëtar dhe e ka ndryshuar pejsazhin e qytetit. Mund të hipësh edhe në teleferik për të parë qytetin dhe Oqeanin.

Cape Town, në jug të brigjeve të Atlantikut, ka një stadium me 70 mijë vende, i cili ka në sfond nga njëra anë burgun e periudhës së apartejdit në Ishullin Robben dhe në anën tjetër Parkun Mount Table. Në të do të zhvillohen 8 ndeshje.

Stadiume të reja janë ndërtuar po ashtu në qytetet më të vogla, përfshi Plokwanin dhe Nerlsprutin. 5 arena ekzistuese janë rinovuar thuajse tërësisht. Qeveria synon të zhvillojë traditën e futbollit në një vend ku nën apartejdin, sporti ishte lënë pas dore.

Por perla e kampionatit është qyteti i futbollit në Johanesburg, në periferi të Sovetos, me 90 mijë vende. Në të do të zhvillohen 8 ndeshje, mes tyre edhe ceremonia e hapjes dhe ndeshjet finale.

“Ky stadium është i veçantë. Ai është i mrekullueshëm dhe shumë rrallë mund të gjesh të tillë në një vend tjetër”, - thotë futbollisti legjendar Diego Maradona, tani trajner.

Jugafrikanët janë të emocionuar për stadiumet e tyre të reja të futbollit. Por ata po ashtu shpresojnë që tifozët e huaj do të vizitojnë disa nga pikat e shumta turistike të vendit dhe do të njihen nga afër me mikpritjen e popullit jugafrikan.

XS
SM
MD
LG