Lidhje

Shqipëria pezullon shpërndarjen e qumështit

  • Ilirian Agolli

Autoritetet u bënë thirrje firmave të ndalojnë shpërndarjen dhe të tërheqin qumështin nga tregu deri në ardhjen e analizave përfundimtare

Në Shqipëri Autoriteti Kombëtar i Ushqimit urdhëroi pezullimin e furnizimeve të reja të tregut me qumësht të ambalazhuar, sepse nga analizat doli se prodhimi i disa firmave përbëhet nga përqindje të Aflatoksinës, më të larta nga normat e Bashkimit Europian. Autoritetet u bënë thirrje firmave, që jo vetëm të ndalojnë shpërndarjen, por edhe të tërheqin vullnetarisht qumështin e shpërndarë më parë, deri në ardhjen e analizave përfundimtare.

Në Shqipëri nuk duket se ka ndonjë panik për qumështin e ambalazhuar në kuti. Shitja ka vazhduar normalisht, ndërsa supermarketet dhe minimarketet nuk i kanë larguar ende kutitë e qumështit nga raftet, megjithë njoftimet se në përbërjen e qumështit të disa firmave ka nivel të lartë të aflatoksinës e tipit M1.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u ka bërë thirrje firmave prodhuese që të tërheqin mallin e tyre ekzistues nga tregu dhe të ndalojnë përkohësisht shpërndarjen e re. AKU po bën analiza për të gjitha firmat që tregtojnë qumësht të paketuar dhe poi nis kampionet në laboratore të posaçme të licensuara nga BE.

Prodhuesit e qumështit pohojnë nga ana e tyre se ata bëjnë analiza të rregullta periodike dhe se nuk ka vend për panik. Specialistët e kësaj fushe pohojnë se aflatoksina gjatë muajit shkurt gjendet në qumësht për shkak të mykut që zënë ushqimet e lopëve në fund të dimrit. Bagëtitë janë duke konsumuar rezervat e fundit ushqimore të dimrit, pohojnë ata, ndaj edhe siguria ushqimore zë vend kryesor në njoftimet e stinës.

Ndërsa në Kosovë ishte fillimisht Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës ajo që njoftoi qytetarët se disa lloje qumështi të paketuar, mes tyre edhe dy firma nga Shqipëria, kanë dalë të dyshimta nga analizat për shkak të pranisë së aflatoksinës, dhe u kërkoi atyre të mos i blejnë dhe të mos i konsumojnë. Këto produkte po hiqen nga tregjet e Kosovës deri në marrjen e analizës përfundimtare, mbi bazën e të cilës ato mund të kthehen në treg ose të asgjësohen.

XS
SM
MD
LG