Lidhje

Propozohet legalizimi i tregtisë së bririt të rinocerontit

  • Brian Padden

Ambjentalistët dhe pronarët e rezervateve të kafshëve të egra në Afrikën e Jugut po bëjnë fushatë për legalizimin e tregëtisë së brirëve të rinocerontëve, që aktualisht është e ndaluar nga një traktat ndërkombëtar. Sipas planit të propozuar, vetëm brirët e rinocerontëve që kanë vdekur nga shkaqe natyrale do të lejoheshin të shiteshin dhe fitimet do të përdoreshin për të financuar përpjekjet kundër gjuetisë pa leje.

Sipas Fondit Botëror të Kafshëve të Egra, një numër rekord prej 448 rinocerontësh u vranë në gjueti në vitin 2011 dhe mbi gjysma e këtij numri janë vrarë ilegalisht deri tani këtë vit.

Pelham Jones, kreu i Shoqatës së Pronarëve Privatë të Rinocerontëve në Afrikën e Jugut thotë se qeveria nuk i ka burimet që të ndalojë gjuetinë e kësaj specieje të rrezikuar për brirët e saj. Vlera e tyre është më e lartë sesa pesha e tyre në flori, pasi përdoret në disa barna tradicionale aziatike.

“Ne mund t’i dyfishojmë ose trefishojmë masat e sigurisë. Ne nuk mund ta përballojmë nivelin e mbrojtjes së rinocerontëve veçanërisht po të kesh parasysh vlerën e shitjes së brirëve të tyre në Lindjen e Largët”.

Jones përfaqëson një grup pronarësh rinocerontësh që thonë se mënyra më e mirë për të shpëtuar rinocerontët është që të hiqet masa ndaluese për tregëtinë e brirëve të tyre.

“Ne nuk po themi që të vrasim rinocerontët për brirët e tyre. Afrika e Jugut ka 25 tonë brirë në rezerva. Këto janë brirë të kafshëve që kanë ngordhur nga shkaqe natyrale, që janë thyer gjatë lëvizjeve të tyre”.

Ai thotë se legalizimi i tregëtisë së brirëve të rinocerontëve do të ulte çmimin dhe prirjen për gjuetinë e tyre. Provat e ADN-së mund të përdoren për të garantuar që të shiten vetëm ligjërisht brirët. Dhe taksat dhe tarifat nga shitja e mund të përdoren për të financuar masa më të mëdha sigurie dhe ruajtjeje.
Qeveria afrikano-jugore ka financuar një studim për legalizimin e tregëtisë së rinocerontëve por Jo Shaw e organizatës për monitorimin e tregëtisë së kafshëve të egra, TRAFFIC është mosbesuese.

“Ne duhet të dimë me saktësi se si do shiten brirët. Duhet ta dimë se kujt do t’i shiten. Duhet të jemi të qartë për mekanizmat që do të zbatohen për të mos lejuar që brirët e rinocerontëve të vrarë në mënyrë të paligjshme të hyjnë në tregëtinë e ligjshme”.

Ajo thotë se pavarësisht nga shtimi i vrasjes së rinocerontëve në gjueti, masa ndaluese po funksionon dhe kjo duket tek fakti që popullsia e rinocerontëve në gjithë botën mbetet e pandryshuar, rreth 20 mijë. Dhe megjithëse kërkesa për brirët e rinocerontëve po rritet në Kinë, Vietnam dhe Tailandë, vende të tjera në Azi kanë shënuar sukses në frenimin e tregëtisë së paligjshme.

“Ne e dimë që në të kaluarën, tregjet për brirët e rinocerontëve janë shtuar dhe pakësuar. Prandaj historikisht, Japonia, Taivani, Koreka kanë qenë përdorues kryesor të brirëve të tyre. Këto vende kanë masa ndaluese dhe kërkesa nuk po vjen më që andej”.

Ajo thotë se nëse legalizimi i tregëtisë së rinocerontëve për t’i shpëtuar ata, tingëllon jorealist, kjo do të thotë se ndoshta është jorealist.
XS
SM
MD
LG