Lidhje

Presidenti Obama fillon vizitën në Afrikën e Jugut

  • Dan Robinson

Presidenti Barak Obama fillon sot një ditë të mbushur me aktivitete në Afrikën e Jugut, ndalesa e dytë në kuadër të turneut të tij në tri vende afrikane. Gjatë udhëtimit me avionin presidencial zoti Obama foli për mësimet që të rinjtë afrikanë mund të nxjerrin nga ish-presidenti jug-afrikan Nelson Mandela.

Zoti Obama ishte për herë të fundit në Afrikën e Jugut në vitin 2006, kur ishte senator. Tani ai kthehet në këtë vend si Presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara, në përpjekje për të rihapur një dialog me kontinentin afrikan në mandatin e tij të dytë.

Sot në Pretoria, Presidenti i Afrikës së Jugut Jacob Zuma do të mirëpresë zyrtarisht presidentin dhe Zonjën e Parë Michelle Obama. Pas bisedimeve dypalëshe, dy presidentët do të zhvillojnë një konferencë për shtyp. Më pas Presidenti Zuma shtron një darkë zyrtare në nder të Presidentit Obama.

Zoti Obama do të zhvillojë një bisedë të hapur në Soweto, një periferi e Johanesburgut që luajti një rol të rëndësishëm në protestat kundër aparteidit.

Në kuadër të Nismës për Udhëheqës të Rinj Afrikanë, ai do t’u përgjigjet pyetjeve nga afrikano-jugorë dhe të rinj nga Uganda, Nigeria dhe Kenia që do të marrin pjesë përmes lidhjes me satelit.

Presidenti Obama synon ta zgjerojë nismën për ta shndërruar në një program shkëmbimesh në bashkëpunim me universitete amerikane në mënyrë që të rinj afrikanë të vijnë për studime në Shtetet e Bashkuara. Ai foli për këtë nismë në një intervistë radiofonike gjatë udhëtimit me avion për në Afrikën e Jugut:

“Shpresojmë të identifikojmë deri në 500 udhëheqës të rinj të dalluar në të gjithë Afrikën që të marrin pjesë në programe kualifikimi, të përftojnë aftësitë që do t’u nevojiten kur të kthehen në vendet e tyre”.

Presidenti foli edhe për mesazhin e tij në Afrikën e Jugut, veçanërisht ndërkohë që ish-udhëheqësi i luftës kundër aparteidit, Nelson Mandela është aktualisht në gjendje kritike shëndetësore.

Ai tha se mesazhi i tij do të jetë në përputhje me mësimet që ndoqi zoti Mandela gjatë jetës së tij, duke shtuar se Afrika do të vazhdojë të përparojë nëse vendet afrikane veprojnë të bashkuar, pa lejuar ndasi në baza fisnore, racore apo fetare.

Zoti Obama e lidhi trashëgiminë e Presidentit Mandela me potencialin e madh që ofrojnë brezat e ardhshëm të afrikanëve:

“Ai dëshmoi se kur udhëheq me integritet, kur përqëndrohesh tek ato që duhen bërë, dhe jo thjesht tek mbajtja e pushtetit, mund të bësh mrekulli. Mund të realizosh ndryshime të pabesueshme”.

Në përgjigje të pyetjes nëse do ta vizitonte udhëheqësin e sëmurë, zoti Obama tha “Nuk kam nevojë për një foto për publikim nga shtypi” duke thënë se nuk do që të krijojë trazim në një kohë që familja e zotit Mandela është e shqetësuar për shëndetin e tij.

Zoti Obama dhe familja e parë do të kalojnë dy ditë në Afrikën e Jugut para se të nisen të hënën në Tanzani në ndalesën e fundit të Presidentit gjatë turneut të tij afrikan.
XS
SM
MD
LG