Lidhje

Afrikë: Kthimi i të arsimuarve dhe zhvillimi ekonomik


Udhëheqësit afrikanë për një kohë të gjatë janë përpjekur t'i japin zgjidhje fenomenit të ashtuquajtur ‘rrjedhja e trurit’, largimin e të rinjve me arsim të lartë për punë më të mira në Azi ose në Perëndim. Por studime të kohëve të fundit tregojnë se kjo prirje po ndryshon. Peter Cox i Zërit të Amerikës njofton nga Johanesburgu se shumë studentë afrikanë në botë, gjejnë mundësi për ta shfrytëzuar ekspertizën e tyre në atdhe.

19 vjeçari maroken Reda Merdi po përfundon Akademinë e Udhëheqësve Afrikanë në Johanesburg dhe në gusht ai do të shkojë në universitetin prestigjoz të Pensilvanisë në Shtetet e Bashkuara, ku do të studiojë marrëdhëniet dhe biznesin ndërkombëtar.
Merdi thotë se megjithë mundësinë për të studjuar në Shtetet e Bashkuara, ambicja e tij afatgjatë është që ta shfrytëzojë në Afrikë arsimin e lartë.

“Tani është më premtuese të punosh në Afrikë. Ekzistojnë shumë më tepër mundësi, më shumë hapësira për të punuar dhe për të pasur sukses. Po ashtu në kontinentin afrikan po ndodhin shumë gjëra që të japin kënaqësi të punosh këtu".

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Qendrore, 7 prej 10 ekonomive me zhvillim më të shpejtë në botë ndodhen në Afrikë. Statistikat e mbledhura nga Forumi Ekonomik Botëror tregojnë se shumë ekonomi në rritje të Afrikës kanë shtuar ndjeshëm mundësitë që njerëzit e arsimuar të qëndrojnë në vendin e tyre.

Në vitin 2008, Nigeria ishte në vend të 112-të në botë për sa i përket mbajtjes në vend të njerëzve të arsimuar. Tani Nigeria është në vend të 48-të. Afrika e Jugut është ngritur nga vendi i 72-të në të 48-tin ndërsa Gana ka rënë nga i 125-ti në vendin e 53-të.
Një studim i kohëve të fundit nga firma private Jacana e Johanesburgut arrin në përfundimin se 70% e studentëve afrikanë, që vazhdojnë studimet e larta në programin ‘Masters’ në universitete të njohura amerikane dhe evropiane për administrim biznesi kanë në plan të kthehen në Afrikë pas diplomimit. Kjo nuk e habit zonjën Rebecca Harrison, drejtoreshë projekti e Nismës për Menaxhimin Afrikan, që ndihmon në arsimimin e menaxherëve për kontinentin afrikan.

"Mendoj se po shikojmë një ndryshim të prirjeve. Po fillojmë të krijojmë lidhje me shumë shkolla të mira biznesi në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë për të krijuar klube të Afrikës për njerëzit e intresuar që të punojnë në Afrikë në të ardhmen. Disa janë nga Afrika, të tjerë nga kontinente të tjera, por të gjithë janë të interesuar të punojnë në kontinentin afrikan. Numëri i anëtarëve të këtyre klubeve është shtuar shumë. Ata duan të vijnë në Afrikë dhe janë shumë të interesuar të shikojnë mundësitë për punësim në këtë kontinent".

Akademia e Udhëheqësve Afrikanë u krijua me objektivin për të zhvilluar brezin e ardhshëm të udhëheqësve afrikanë. Kjo shkollë ka një përzgjedhje të lartë dhe pranon vetëm 3% të aplikantëve.

Fred Swaniker, njëri prej themeluesve të akademisë, krijoi programin mësimdhënës dhe programin për t’i nxitur studentët e akademisë që të kthehen në Afrikë pas përfundimit të studimeve në vend të tjera të botës. Ai thotë se është e rëndësishme që studentëve t’u jepen sa më shumë mundësi që të krijojnë lidhje dhe të punojnë në kontinentin afrikan.

"Arsyeja kryesore që studentët duhet të kthehen në Afrikë nuk është se ata janë të detyruar ta bëjnë këtë por sepse ata shikojnë mundësitë e mëdha që ekzistojnë atje, shikojnë një të ardhme të mrekullueshme dhe mundësi reale për të pasur ndikim në ndryshimin e së ardhmes së Afrikës".

Ekziston gjithashtu një nxitje financiare. Pagesa për shumicën e studentëve mbulohet nëpërmjet huave falas, nëse ata kthehen në Afrikë deri në moshën 25 vjeçare dhe qëndrojnë atje për 10 vjet. Në të kundërtën ata duhet ta pagujnë vetë huanë bashkë me interesin. Sidoqoftë mundësitë që ekzistojnë duket se janë arsyeja kryesore që tërheqin këta studentë.

"Nëse keni frymën e sipërmarrësit, atëhere Afrika është me të vërtetë parajsa juaj. Mund të bëhesh afrikani i ardhshëm Sam Walton, ose afrikani Bill Gates ose Steve Jobs. Askush nuk e ka arritur këtë ende, por kjo mund të arrihet".

Kjo ide i pëlqen Merdit, planet e të cilit kanë ndryshuar për arsye të këtij mesazhi.

"Fillimisht kur fillova të interesohesha për biznesin dhe ekonominë në përgjithësi mendoja se që të kisha ndikim, për shembull në sistemin banker, duhet të isha në New York ose në Londër. Akademia e Udhëheqësve Afrikanë më bëri ta ndryshoj këtë mendim".

Ndërsa zhvillimi ekonomik ka ndihmuar në zbutjen e problemit të shterimit të trurit të Afrikës, Rebecca Harrison e Nismës për Menaxhimin Afrikan thotë se udhëheqësit afrikanë duhet të përqëndrohen në ndihmat për të shpërndarë burimet dhe mbështetjen për brezin e ardhshëm të arsimuar të Afrikës.
XS
SM
MD
LG