Lidhje

Polemika dhe paqartësi mbi reformën në drejtësi


Polemikat mes forcave kryesore politike mbi reformën në drejtësi vazhdojnë në rrjetet sociale dhe pakkush ka informacion mbi përgatitjen e një seance të jashtëzakonshme parlamentare për të miratuar ligjet e para të kësaj pakete.

Por çështjet teknike si fletorja zyrtare apo afate të caktuara ligjore janë vënë tani përballë nevojës për të gjetur sërish mirëkuptimin politik, ndryshe gjithçka mund të humbasë prej falsitetit dhe moszbatimit të ligjeve reformuese, njëlloj si me ligjet e mëparshme.

Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, dr.Afrim Krasniqi, thotë se miratimi i reformës së drejtësisë me vota të plota në parlament erdhi jo prej mirëkuptimit, por si rezultat i presionit të madh të faktorit ndërkombëtar dhe kështu duhet të vazhdojnë edhe etapat e tjera,

Zoti Krasniqi thotë që nëse presioni ndërkombëtar dobësohet, të tre forcat politike janë të prirura ta frenojnë këtë reformë, sepse nuk duan që ajo të hyjë në zbatim para zgjedhjeve të ardhshme.

Ai thotë që edhe në seancën e ardhshme në parlament ekziston rreziku që palët të hyjnë në kritere teknike, që mund të deformojnë reformën.

“Faktori ndërkombëtar nuk duhet të ulë presionin dhe nuk duhet të lejojë, që palët të ndërfutin kritere teknike që të shpëtojnë njerëzit e tyre të korruptuar nëpër gjykata, përndryshe, kjo do të ishte një dite negative për Shqipërinë” - tha zoti Krasniqi.

Problemi tjetër i madh sipas tij, është që pastrimi i politikës dhe pastrimi i gjyqësorit duhet të kryhen njëkohësisht, sepse gjyqtarët e korruptuar mund të blejnë mandate dhe t'i futen politikës.

“Tradita ka treguar që gjyqtarë të korruptuar rezistojnë, duke marrë kostumin e politikanit. Ata që mund të largohen nga një anë si të korruptuar nëpër gjykata futen në parti politike, bëhen deputetë dhe ministra drejtësie të po këtij sistemi që i dëboi” - tha me shqetësim zoti Krasniqi.

Forcat politike kanë deklaruar njëlloj vullnetin e tyre të plotë për të kryer me sukses reformën në sistemin e drejtësisë.

Megjithatë, ato ende shkëmbejnë repilka dhe deklarata në rrjetet sociale, duke humbur ditët e nevojshme për reformën.

Opozita thotë se përgatitjet për një seancë të jashtëzakonshme plenare po bëhen në mungesë të plotë transparence.

Sipas saj, seanca mund të bëhet vetëm gjysmën e dytë të gushtit, sepse në gjysmën e parë të gushtit është afati ligjor për të hyrë në fuqi ndryshimet kushtetuese që u miratuan me votat e plota të parlamentit mbrëmjen mes 21 dhe 22 korrikut.


Trego komentet

XS
SM
MD
LG