Lidhje

Shkurtohen financimet për Agimin e Artë


Grekët shfaqën besimin se qeveria e tyre po ecën në drejtimin e duhur me miratimin e legjislacionit që synon shkurtimin e financimeve shtetërore për partinë e ektremit të djathtë, Agimi i Artë, udhëheqësi i të cilit u arrestua gjatë fundjavës nën akuzat për anëtarësim në një organizatë kriminale.

Sipas legjislacionit që u dorëzua sot në parlament, financimet shtetërore do të pezullohen për një parti në se ndonjë prej anëtarëve të saj drejtues apo deputet janë duke u ndjekur për një vepër penale. Legjislacioni duket se ka mbështetjen e shumicës.

"Agimi i Artë dihet se ç'është. Ata kanë të drejtë që iu shkurtojnë financimin. Por ata duhet ta bëjnë edhe me të tjerët në parlament pasi Agimi i Artë nuk është i vetëm."

"Po flasim për organizata kriminale. Në parlament të gjithë janë të lirë të votojnë ose jo, por kur vjen puna për financime që shkojnë për aktivitete kriminale, jam i sigurtë se të gjithë janë në favor të një ligji të tillë.”


Gjashtë nga deputetët e partisë, 14 anëtarë dhe dy policë u arrestuan, ndërsa urdhër arresti u nxorën edhe për 10 persona të tjerë.

Makis Voridis, përfaqësues i Demokracisë së Re Parlamentare i cili po merr pjesë në prezantimin e legjislacionit, tha se ligji është i nevojshëm pas zhvillimeve të fundit me këtë parti të djathtë.

"Në demokraci nuk e ndalojmë shprehjen e ideve, sado të neveritshme të jenë ato. Ky është vend i lire. Kushdo mund të thotë ç’të dojë. Ajo që nuk mund të bëjnë është shkelja e kodit penal. Pikërisht këtë ka bërë Agimi i Artë."


Goditja e qeverisë ndaj kësaj partie që ka rrënjë neo-naziste, u nxit nga vrasja më 17 shtator e një këngëtari grek për të cilën u fajësua një mbështetës i Agimit të Artë.

Arrestimet shënojnë herën e parë të arrestimit të deputetëve që nga rivendosja e demokracisë në vitin 1974 pas diktaturës ushtarake.
XS
SM
MD
LG