Lidhje

OBT paralajmëron për rrezikun e bakterieve rezistente ndaj antibiotikëve

  • Vidushi Sinha

OBT paralajmëron për rrezikun e bakterieve rezistente ndaj antibiotikëve

OBT paralajmëron për rrezikun e bakterieve rezistente ndaj antibiotikëve

Ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë përgatitet të shënojë Ditën Botërore të Shëndetësisë më 7 prill, agjencia e OKB-së po bën thirrje për shkallëzimin e përpjekjeve ndërkombëtare për trajtimin e problemit të bakterive që janë rezistente ndaj antibiotikëve, që përbëjnë kërcënim përherë e më të madh për shëndetin publik, sidomos nëpër spitale.

“Është e frikshme se në këto raste ekzistojnë bakterie që krijojnë rezistencë për shumicën e antibiotikëve që ne kemi. Ato gjenden zakonisht tek pacientë, të cilët më parë kanë qenë në spitale, apo që kanë marrë një numër antibiotikësh.

Doktor Andrew Fishmann i referohet një bakterieje të quajtur Klebsiella e pneumonisë- carbapenem-resistente shkurt CRKP, që ka infektuar mbi 350 njerëz në Kaliforni, shumica e tyre të moshuar, në periudhën qershor-dhjetor të vitit 2010. 40 për qind e këtyre pacientëve vdiqën brenda muajit.

Mikrobi në këtë rast është rezistent jo vetëm ndaj antibiotikut carbapenem, por ndaj të gjitha ilaçeve të tjera kundër mikrobeve.

Ky mikrob i rrezikshëm është raportuar në 35 shtete amerikane, por ai po ashtu ka shkaktuar infeksione në Argjentinë dhe në Brazil, në 15 raste, duke shkaktuar vdekjen.

Kjo është vetëm një nga bakteriet e rrezikshme që po shtohen, të cilat po provohet se janë rezistente ndaj shumë antibiotikëve që përdorin njerëzit. Efektshmëria e antibiotikëve, thonë ekspertët, është duke u pakësuar me shpjetësi, për shkak të përhapjes dhe keqpërdorimit të të tyre.

Rezistenca ndaj mikrobeve po përhapet në mbarë botën, për çdo lloj antibiotiku, në çdo sëmundje dhe jo vetëm për njerëzit, por edhe për antibiotikët që përdoren tek kafshët. Kur flasim për tuberkulozin, malarien, virusin HIV, por edhe sëmundje të tjera, si pneumonia, diarreja, dihet se kanë një rezistencë kundër mikrobeve që shkaktojnë këto sëmundje.

Dr. Markos Espinal, i cili drejton sektorët e mbikqyrjes së shëndetit, parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, po udhëheq një fushatë për edukimin e pacientëve, mjekëve dhe publikut lidhur me përhapjen e rezistencës ndaj mikrobeve në Amerikën Latine.

Duke theksuar seriozitetin e këtij problemi, jo vetëm në Amerikë, por në mbarë botën, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka bërë rezistencën ndaj mikrobeve temën e Ditës së Shëndetësisë më 7 prill. Organizata kërkon që komuniteti ndërkombëtar t’i shtojë përpjekjet për identifikimin dhe luftën kundër këtyre bakterieve të rrezikshme.

Mesazhi është alarmant. Edhe antibiotikët më të fuqishëm mund të mos kenë efekt tek këto lloj bakteriesh. Spitalet janë vendi ku gjenden më tepër këto lloje mikrobesh dhe ato kanë aftësinë të përhapen shumë shpejt në komunitete të gjera.

Dr. Espinal thotë se shumë shpesh infeksionet nuk mund të dallohen, sepse nevojiten teknika më të sofistikuara për zbulimin e tyre.

Nganjëherë ne nuk i dallojmë këto bakterie dhe ekziton mundësia e mosraportimit të tyre në disa vende që janë burimi i tyre. Këto vende nuk i kanë mjetet e nevojshme teknike dhe laboratorët për zbulimin e bakterieve.

Bakteria Klabsiella, që shkakton pneumoninë, ashtu sikurse mikrobe të tjera të rrezikshme, është tepër infektuese. Ajo përhapet nga një pacient i infektuar tek tjetri, vetëm me prekje, ose nga kolla, apo teshtitja. Sapo infektohet me këtë lloj bakterieje, personit i bie imuniteti dhe trupi i tij infektohet edhe me bakterie të tjera.

“Kur një person infektohet, ose krijon rezistencë ndaj një antibiotiku të caktuar, mund të ndodhin situata të ndryshme. Personi i infektuar edhe mund të vdesë, në se nuk trajtohet në kohë, ose ai mund të jetë i sëmurë për një kohë të gjatë, si një person i infektuar me tuberkuloz.

Në botën e sotme, kur njerëzit lidhen me mënyra të ndryshme dhe miliona prej tyre udhëtojnë çdo ditë, bakteriet mund të përhapen më shpejt se kurrë. Ekspertë të shëndetit publik bëjnë thirrje për një mbikqyrje më të kujdesshme të sëmundjes dhe krijimin e komisioneve të veçanta nëpër spitale për zbatimin e standarteve sanitare rigoroze.

Mjekët këshillojnë larjen e shpeshtë të duarve, izolimin e pacientëve dhe përdorimin më selektiv të antibiotikëve, që mund të ndihmojnë në ndalimin e përhapjes në bakterieve. Ekspertët janë të një mendimi, se nevojiten antibiotikë të ri për të luftuar bakteriet e rrezikshme. Por ata paralajmërojnë që mjekët dhe pacientët duhet të mësojnë përdorimin më të kujdesshëm të këtyre armëve të reja në duart e tyre.

XS
SM
MD
LG