Lidhje

Shqipëri, polemika politike për skandalin e favoreve seksuale

  • Armand Mero

Në Shqipëri, denoncimi i rastit të një aktivisti të partisë socialiste në Sarandë, i cili i kërkonte një gruaje favore seksuale me vajzën e saj 14 vjeçare, në këmbim të një vendi pune, është shoqëruar me polemike të shumta politike.

Agron Cane, i cili punonte në zyrën e deputetit socialist Koço Kokëdhima në Sarandë, u denoncua nga televizioni News 24 i cili transmetoi edhe bisedën e tij me gruan që kërkonte punë. Ai u arrestua nga policia dje.

Deputeti Kokëdhima e dënoi ngjarjen duke shpjeguar se Cane kishte për detyrë të mblidhte ankesat e qytetarëve dhe jo të ofronte punë.

Por për opozitën nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar. Kjo ishte "emblema e Rilindjes", u shpreh në facebook kryetari i opozitës Lulzim Basha, i cili dhe sot përmes një tjetër postimi shkruan se “medalja e turpit i shkon e gjitha Edi Ramës për sistemin qe ka ngritur. Skandali i kërkimit të favorit seksual me një të mitur në këmbim të një vendi pune, ka ndodhur në zyrën e Partisë Socialiste”, nënvizon zoti Basha ndërsa akuzon kryeministrin se nuk është distancuar nga ngjarja e rëndë.

Zoti Rama reagoi më pas në Twitter duke theksuar faktin se brenda një dite policia ka bërë arrestimin, zyra e deputetit është distancuar prerazi dhe se Partia socialiste e ka përjashtuar, të akuzuarin. “E keqja s’ka parti dhe s’ka vend mes nesh”, shkruan zoti Rama ndërsa akuzon partinë demokratike për keqpërdorimin e ngjarjes përmes “një politike të vjetër e të ulët”, shprehet kryeministri.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG