Lidhje

Agroturizmi në SHBA


Fermat sot në Shtetet e Bashkuara nuk janë vetëm një biznes prodhues, por edhe një vend argëtimi. Shumë ferma janë të hapura për klientë që duan të mbledhin vetë fruta nga pemët, të shëtisin me karrocë me kalë mes fushave, të bëjnë gara nëpër labirintet e hapura mes arave me misër, apo të provojnë jetën e kaubojsave. Ky njihet si turizmi agrikulturor, i cili gjatë viteve është shndërruar në një sektor fitimprurës të bujqësisë amerikane.

Nxënës shkollash vërtiten nëpër një labirint në mes të arës.

Shpesh të çorientuar mes korridoreve pafund.

Fëmijët kanë ardhur në Fermën Monpelier në komunën Prince George të Merilandid.

“I çojmë në ekskursione që fëmijët të shohin nga afër punën në fermë”, thotë mësuesja Debbie Pierson.

“Vijmë një herë në vit. Është shumë qejf. Fëmijët kënaqen. Pjesa më e bukur është kur zgjedh kungullin”.

Mike Dunn e filloi këtë biznes në vitin 2008 vetëm me një labirint në arën e mistrit, një parcelë me kunguj dhe shëtitje me karrocë për vizitorët. Shumë shpejt, tregon ai, iu desh të zgjeronte aktivitetin për të përballuar kërkesën e lartë.

“Të ardhurat nga agroturizmi mund të shkojnë në rreth 30% të të ardhurave të të gjithë aktivitetit në fermë. Duam që një ditë të përfaqësojnë 60%”.

Turizmi agrikulturor, apo agroturizmi është termi që përdoret për aktivitetin fermer të përqëndruar në tërheqjen e vizitorëve, përmes aktiviteteve që përfshijnë zgjedhjen sezonale të kungullit, pemës së vitit të ri, mbledhje frutash e perimesh dhe plot argëtime të tjera.

Shifrat e fundit tregojnë se fermat që bëjnë agroturizëm në Shtetet e Bashkuara realizuan 700 milionë dollarë në 2012, një rritje prej 24% krahasuar me pesë vjet më parë.

Sekretari i Bujqësisë për shtetin e Merilandit “Buddy” Hance thotë se megjithëse një sektor i vogël, agroturizmi është një faktor i rëndësishëm në ekonominë lokale:

“Fermerët që ofrojnë këto aktivitete nxjerrin një përqindje të fitimeve nga ky sektor. Prandaj është një burim i rëndësishëm të ardhurash për komunat, shtetin dhe fermerët”.

Komuna Loudoun në Virxhinia ka 40 kantina vere, shumë prej të cilave janë të hapura për vizitorë. Bill Hatch, pronar i Vreshtës Zephaniah, fton klientët të provojnë verërat në banesën e tij:

“Po dyfishojmë numrin e vizitorëve çdo vit. Çdo fundjavë presim mesatarisht 250 vizitorë”.

Me shtimin e numrit të fermave që përfshihen në agroturizëm, po shtohen edhe aktivitetet që ofrohen. Malcolm Baldwin, pronar i Vreshtës dhe Fermës WeatherLea në Komunën Loudoun, filloi të organizojë dasma dhe të hapë dhoma për klientët që donin të kalonin disa ditë në fermë. Falë këtij aktiviteti, ai thotë se tani e përballon koston e fermës.

“Pa vreshtën, pa kafshët dhe pa organizuar dasma nuk do të nxirrnim dot fitim. Njerëzit kanë qejf të vizitojnë vreshtat. Duan të shohin kafshët që mbajmë këtu, gjë që e bën fermën një pikë turistike”.

Ekspertët parashikojnë që me rritjen e interesimit për fermat lokale, do të vazhdojë të rritet edhe agrobiznesi.

XS
SM
MD
LG