Lidhje

Mbreti Ahmet Zogu me një monument në Tiranë


Shtatorja e Ahmet Zogut është vepër e Kreshnik Xhikut, njërit prej artistëve më të njohur shqiptarë.

Autoritetet shqiptare nderuan sot me një monument në qendër të kryeqytetit shqiptar mbretin Ahmet Zog, në përpjekje për të rivlerësuar figurën e tij të fashitur nga qëndrimet e kundërta të historianëve. Shtatorja e mbretit Zog u ngrit në krye të shëtitores me të njëjtin emër, me një ceremoni shtetërore, ku morën pjesë drejtuesit e parlamentit, qeverisë, disa partive politike dhe qindra përkrahës së monarkisë.

Përurimi i shtatores u bë pikërisht sot në 24 dhjetor, data kur 88 vjet më parë forcat kundër-revolucionare të Ahmet Zogut hynë në Tiranë dhe morën pushtetin pas luftimesh të shumta në të gjithë territorin me trupat qeveritare të kryeministrit Theofan Stilian Noli.



Kryeministri Sali Berisha tha se qysh në moshë të re vetëm 17 vjeçar, Ahmet Zogu shkoi në Vlorë të mbronte qeverinë e Ismail Qemalit, më pas ai mbështeti princin Gulielm Vid. Ndërsa në 1920 organizoi së bashku me patriotë të tjerë Kongresin e Lushnjes, për të shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi territorial dhe për t’i dhënë asaj qeverinë e re, ku si ministër i brendshëm mbrojti sovranitetin e vendit. Zoti Berisha tha se kryeministër, president apo mbret, Ahmet Zogu punoi gjithmonë në dobi të popullit dhe shtetit shqiptar.

“Ne nderojmë sot njërin nga bijtë, njërin nga personalitetet më të rralla, më të shquara në të gjithë historisë tonë kombëtare të të gjithë kohërave. Me emrin e tij janë të lidhura në mënyrë të pandashme zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri. Me emrin e Ahmet Zogut janë të lidhura përpjekjet titanike të shqiptarëve për shtet ligjor, rend dhe siguri.” - tha zoti Berisha.

Shtatorja e Ahmet Zogut është vepër e Kreshnik Xhikut, njërit prej artistëve më të njohur shqiptarë. Skulptori Xhiku ka krijuar monumentin e Nënë Terezën dhe Skënderbeut në Miçigan të SHBA-ve dhe në Londër, ndërsa tani krijoi shtatoren e Ahmet Zogut, për të cilën thotë se ndjeu përgjegjësi dhe angazhim të veçantë.

“Duhej të nënvizoja faktin që ai është një mbret, dhe mbreti kishte nevojë për një uniformë ceremoniale si kjo në statujë. Po ta bëja me rroba civile do të ishte e vështirë në gjuhën e artit figurative si skulptura që ai të dukej si mbret, ndaj zgjodha uniformën” - thotë autori i monumentit.

Rivlerësimi i figurës së Ahmet Zogut zuri një vend kryesor në veprimtaritë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar. Trupi i tij i mbetur në emigrimin pa kthim që nisi me pushtimin e Shqipërisë nga ushtria fashiste italiane, u varros pak javë më parë me nderime shtetërore në varrezën e përbashkët të familjes.

Megjithë nderimet e shumta, librat dhe konferencat shkencore, nuk i sheshuan, përkundrazi, i kanë ndezur më tej polemikat mbi ngjarje të ndryshme gjatë qeverisjes së gjatë të Ahmet Zogut, qysh nga ardhja e tij në pushtet me forca të armatosura deri në largimin nga Shqipëria me zonjën dhe djalin e porsalindur në duar një ditë para pushtimit fashist të prillit 1939.
XS
SM
MD
LG