Lidhje

AI: Në Ballkan nuk dihet fati i 14 mijë të zhdukurve


Amnesty International thotë se qeveritë ballkanike kanë dështuar të hetojnë përgjegjësit për zhdukjet gjatë konflikteve të viteve 1990

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, u ka bërë thirrje qeverive të Ballkanit, për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur, çështja e të cilëve, sipas kësaj organizate, është burim i vazhdueshëm dhimbjeje për të afërmit e tyre.

Në një dokument të lëshuar me rastin e 30 gushtit, ditës ndërkombëtare të personave të zhdukur, Amnesty International, u bënë thirrje qeverive të dala nga ish Jugosllavia, që të zhvillojnë hetime mbi fatin e rreth 14 mijë personave që ende llogariten të zhdukur që nga konfliktet e rajonit në vitet 1990.

Drejtoresha e Programit të organizatës për Evropën dhe Azinë Qendrore, Jezerca Tigani, thotë se megjithëse disa nga personat përgjegjës janë nxjerrë para drejtësisë në gjykatën e krimeve të luftës në Hagë, mandatit të këtij institucioni po i vjen fundi.

Sipas saj pengesa kryesore për nxjerrjen para drejtësisë të personave të tjerë përgjegjës është “një mungesë e vazhdueshme e vullnetit politik në të gjitha vendet e rajonit”.

Fundi i luftërave në ish Jugosllavi la pas vetes afro 35 mijë të zhdukur si rrjedhojë e vrasjeve apo rrëmbimeve.

Prej tyre rreth 14 mijë mbeten të pagjetur edhe sot e kësaj dite. Prej tyre, mbi 10 mijë e 500, janë nga Bosnja, 2 mijë e 400 në Kroaci dhe rreth 1 mijë e 800 në Kosovë.

Amnesty International thekson se Qeveritë e Kroacisë, Bosnjës, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Kosovës kanë dështuar t’u përmbahen detyrimeve të tyre, për të hetuar dhe ndjekur penalisht zhdukjet dhe rrëmbimet dhe kjo mbetet një shqetësim serioz në gjithë Ballkanin.

Ajo kërkon nga qeveritë që të marrin të gjitha masat e duhura për të gjetur trupat e të zhdukurve dhe për t’ua kthyer ato familjeve, për të cilat, kthimi i trupave të të dashurve të tyre për varrim është hapi i parë drejt arritjes së drejtësisë.

Amnesty International thekon se sipas shënimeve të Komitetit Ndërkombëtarë të Kryqit të Kuq, Kosova doli nga lufta me 3 mijë e 600 persona të zhdukur.

Nga ky numër, “më shumë se 3 mijë ishin shqiptarë, ndërsa të tjerët serbë, romë dhe pjesëtarë të komuniteteve pakicë”.

Sipas kësaj organizate, që nga viti 1999, trupat e rreth 1 mijë e 800 personave të regjistruar si të zhdukur, janë gjetur, identifikuar dhe u janë kthyer familjeve, ndërsa 1 mijë e 797 të tjerë mbeten të zhdukur.

Amnesty International kujton se në prill dhe në maj të vitit 1999, trupa të shqiptarëve të vrarë dhe të varrosur në Kosovë nga forcat serbe, janë zhvarrosur dhe janë transportuar në Serbi, ku janë rivarrosur.

Edhe pse disa nga këta trupa janë gjetur dhe u janë kthyer familjeve, pak nga autorët e zhdukjeve dhe rrëmbimeve janë sjellë para drejtësisë, vlerëson Amnesty International.

Që nga viti 2004, Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar bisedime të ndërmjetësuara nga Komiteti Ndërkombëtarë të Kryqit të Kuq, por rezultatet janë ende të pakta.
XS
SM
MD
LG