Lidhje

OKB fillon operacionin e ndihmave në Irakun verior

  • Lisa Schlein

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët njofton se operacioni më i madh i saj i ndihmave në një dekadë, dërgimi i mjeteve të emergjencës në rajonin e Kurdistanit në Irakun verior është duke u vënë në zbatim. Operationi, i cili filloi të mërkurën, synon përmirësimin e kushteve për afro gjysëm milioni njerëzve, të cilët ju larguan sulmeve brutale të militantëve të Shtetit Islamik.

Operacioni është menduar të zgjasë 10 ditë. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët ka në plan të dërgojë 2,410 tonë ndihma jo ushqimore në Irbil të Kurdistanit, nga ajri, toka dhe deti. Deri tani tek të zhvendosurit kanë mbërritur tre dërgesa nga ajri të mijëra artikujve, si tenda, shtresa plastike dhe pajisje kuzhine.

UNHCR thotë se ka në plan të çojë një dërgesë të katërt dhe të fundit nga ajri të shtunën. Po të njëjtën ditë, një anije pritet të shkojë në Bandar Abbas, në Iran. Prej andej, agjencia thotë se ndihmat që ndodhen në anije do të çohen me kamionë në Irbil.

Në Kurdistan janë strehuar afërsisht 700,000 njerëz pa shtëpi. Shumica e tyre kanë shkuar atje në fillim të qershorit. Zëdhënësi i UNHCR-së, Adrian Edwards, thotë se të zhvendosurit shkuan atje thuajse pa asgjë dhe ata kanë nevojë për gjithshka, si ujë, ushqim, ndihma mjekësore. Ai thotë se shumë prej tyre jetojnë në kushte tepër të këqia dhe kanë nevojë të dëshpëruar për strehim:

"Ne vlerësojmë se qindra mijëra njerëz ende jetojnë në ndërtesa të papërfunduara, xhami, kisha, parqe dhe shkolla. Zyrtarët vlerësojnë se gjysma e shkollave në rajonin e Kurdistanit janë duke strehuar tani ose persona të zhvendour, ose ushtarë, duke ngritur shqetësime , natyrisht, se si do të funksionojnë shkollat në shtator," - thotë zëdhënësi.

UNHCR aktualisht është duke menaxhuar dy kampe me tenda në Irbil dhe 12 të tjera pritet të hapen së shpejti. Në këto kampe do të strehohen 85 mijë njerëz.

Edwards thotë se shumë njerëz u larguan nga shtëpitë e tyre me nxitim, duke lënë atje dokumenta civile, tepër të nevojshme për t'u regjistruar dhe për të marrë ndihma në para. Ai thotë se UNHCR po i ndihmon ata që t'i zëvendësojnë këto dokumente.

Një tjetër nevojë urgjente, thotë ai, është këshillimi psikologjik për shumë irakianë, të cilët janë të traumatizuar thellë nga kriza:

"Ekipet tona të mbrojtjes na tregojnë për njoftime të vazhdueshme për rrëmbime të grave, veçanërisht nga radhët e pakicave, në Mosul dhe Sinjar. Disa thuhet se janë detyruar me forcë të kthehen në fenë islame. Ka njoftime se disa prej tyre janë trafikuar nga grupe të armatosura, brenda dhe jashtë Irakut."

Ndërsa ndihmat shkojnë në Irak, një tjetër operacion ndihmash shkon në Sirinë verilindore. Atje janë strehuar mijëra njerëz, kryesisht të besimit Yazidi, të cilët janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i gushtit, për t'i shpëtuar militantëve të Shtetit Islamik.

XS
SM
MD
LG