Lidhje

Klinton: Amerika e angazhuar për një "brez pa SIDA"


Sekretarja amerikane e Shtetit i bëri komentet sot, në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare për SIDA-n që u hap dje në Uashington

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton tha se Amerika është e angazhuar për krijimin e një "brezi pa SIDA". Ajo i bëri komentet sot, në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare për SIDA-n që u hap dje në Uashington.

Zonja Klinton tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë për të ndërtuar sisteme të qëndrueshme shëndetësore që do ta ndihmojnë botën "ta fitojë këtë luftë një herë e përgjithmonë." Kjo strategji, tha ajo, ka çuar në një "diskutim të vështirë" me disa udhëheqës për probleme si korrupsioni.

Konferenca ndërkombëtare e SIDA-s po bën thirrje që qeveritë e ndryshme të mos lejojnë që problemet buxhetore të ngadalësojnë luftën kundër kësaj epidemie.

Kombet e Bashkuara thonë se 34 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me virusin HIV dhe SIDA-n ndërsa 1,7 milionë kanë vdekur gjatë vitit 2011. Konferenca e këtij viti pritet të tërheqë më shumë se 20 mijë pjesëmarrës. Në konferencë marrin pjesë edhe ish presidenti Bill Clinton, ish zonja e parë Laura Bush, këngëtari Elton Xhon dhe aktorja Hupi Goldberg.

Konferenca ndërkombëtare e SIDË-s u hap dje në Washington, me thirrjen që qeveritë e vendeve të ndryshme të mos lejojnë që shtrëngesat buxhetore të ngadalësojë luftën kundër epidemisë.

Specialistja për SIDA-n nga San Francisco, Dr. Diane Havlir u tha delegatëve në konferencën e Uashingtonit, se bota ka tani shansin të “fillojë fundin e SIDA-s”. Ajo tha se do të ishte një dështim i madh global nëse shkurtimet buxhetore do të bllokonin këtë shans.
XS
SM
MD
LG